Sipas dëshmive tashmë të njohura gjerësisht ungjillorët dhe lëvizja ungjillore në Shqipëri është një realitet që i ka fillimet në gjysmën e dytë të shek.XIX. Historia filloi me një kontribut shpirtëror e kulturor me qendër Korçën dhe me rrezatim mbarëkombëtar, vijoi me lulëzime e zbehje duke ndjekur rrjedhat e luftërave të botës e të rajonit të gjysmës së parë të shek.XX dhe, siç mund të pritej, u godit e thuajse u shua gjatë regjimit komunist të gjysmës së dytë të këtij shekulli. Ashtu si ndodhi edhe besimet e tjera fetare, në periudhën e regjimit komunist lëvizja ungjillore u pa fillimisht si një lëvizje subversive, si një rrezik i mundshëm politik e ideologjik dhe më pas veprimtaria e tyre u quajt armiqësore dhe si e tillë u luftua. Historiografia komuniste e mbuloi kësisoj me errësirë gjithë veprimtarinë fetare të ungjillorëve, manipuloi dhe shformoi historinë që lidhej me ta, duke mbajtur qëndrime ideologjike e përjashtuese, pavarësisht nga natyra dhe burimi i faktit. Rrjedhojë e kësaj është zbrazëtia dokumentare, fshehja me qëllim e kontributeve, keqinterpretimi i pikëpamjeve dhe për pasojë u këput zinxhiri i fakteve të një kronologjie me ndikim në historinë e kulturës shqiptare.

Një ndër rrugët në të cilat herët e vonë duhet të ecësh për të vëzhguar dhe nxjerrë në dritë historinë e fshehur dhe të shformuar, është dhe “kryeqendra” e mbledhjes së informacioneve subversive, armiqësore dhe të rrezikshme për shtetin e kaluar, pra Sigurimi i Shtetit. “Pararojë” e informacionit dhe “qepen” ideologjik i regjimit, Sigurimi i Shtetit kishte për detyrë të mblidhte të gjitha informatat e mundshme, me vlerë e pa vlerë, që shkonin kundër regjimit. Kështu, siç mund të merrej me mend, Sigurimi i hetoi dhe i vëzhgoi për një kohë të gjatë personat dhe grupimet me besim dhe interesa fetare. Veprimtaria fetare u vlerësua me rrezikshmëri politike, shtetërore dhe shoqërore, prej faktit se, së pari, fetë i kundërviheshin me mesazhin dhe doktrinën e tyre ideologjisë së diktuar të gjithëve nga pushteti; së dyti, se konfesione (denominacione) të caktuara fetare dolën hapur kundër komunizmit, dhe, së treti, se pjesa më e madhe e ndjekësve fetarë kishin ose dyshohej se kishin lidhje të afërta dhe të shpeshta me të huaj (në rastin e ungjillorëve veçanërisht me Amerikën, armikun e hamendësuar kryesor të regjimit). Kësisoj Drejtoria e Punëve të Brendshme (Ana e Sigurimit), pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, u ka çelur ndër vite edhe ungjillorëve dosje, “me qëllim për t’i pasur nën kontroll të organeve tona, për të zbuluar dhe goditur në kohë çdo tentativë armiqësore që do të zhvillohet prej tyre në drejtim të pushtetit” (Nga “Dosja e objektit”, Tiranë më 5.8.1958, f.5)

–Teuta Toska