Dosjet e Sigurimit përmbajnë informacione me vlerë për historinë e krishterimit në Shqipëri, përmbajnë informacione të qenësishme për raportet me pushtetin e kohës dhe qëndrimin e tyre ndaj këtij pushteti, gjithashtu përmbajnë edhe të dhëna me interes shkencor për historiografinë shqiptare, sa kohë që personazhet çifti Kenedi e E.Xhejks (E.Jacques) janë tashmë figura të rëndësishme për historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare në gjysmën e parë të shek.XX.

Sipas dosjes së parë historiku i lëvizjes ungjillore zë fill në vitin 1908 (pra, jo në vitin 1892, as më herët, në kohën kur Bordi Amerikan i Komisioneve për Misionin e Jashtëm solli misionarë në Perandorinë Osmane në territorin e Shqipërisë së sotme), duke mos i përmendur Qiriazët dhe as lidhjen e tyre me Kenedin, një fakt ky i pamohueshëm. Mospërmendja e Qiriazëve në dosje, as edhe në grupin e personave që kishin lidhje me misionarët amerikanë, është interesante dhe, duke mos guxuar të hamendësojmë arsyet, hë për hë e pashpjegueshme.

Dosja e parë në shqyrtim mban titullin “Historiku i misionarëve ungjillorë (amerikanë) Kenedy, Xheksi dhe Daniel Levis (Nisi Laço)”. Dosja përmban 11 fletë. Ajo përshkruan veprimtarinë ungjillore si filloi dhe si zhvillohej nga Kenedi, për të shpjeguar zgjerimin e kësaj lëvizjeje dhe numrin e madh të njerëzve që ndiqnin takimet e tij. Aty shkruhet madje dhe denominacioni i tij: “baptist” (rrymë brenda krishterimit ungjillor, me fillimet e veta në shek.XVII). Dosja jep informacion për takimet e kishës që zhvilloheshin dy herë në javë: të mërkurën në mbrëmje nga ora 7 deri më 8 e gjysmë dhe të dielën në mëngjes për fëmijët nga ora 9 deri në 10 dhe për të rritur 10 deri 11 e gjysmë. Gjithashtu Kenedi punonte për shpalljen e ungjillit edhe në fshatra, në burgje e spitale. Mund ta merret me mend lehtë që burimi i informacioneve të hollësishme mund të vinte nga njerëz që vijonin takimet e tyre.

Dosja referon se Kenedi hapi një shkollë me miratim të qeverisë së asaj kohe më 1925 me gjashtë klasa. Sipas qëndrimit të shkruesit të dosjes qëllimi i Kenedit në ngritjen dhe mbajtjen e shkollës ishte që “nëpërmjet mësimeve të gjuhës shqipe që jepte në shkollën e ditës, të frymëzonin elementin e ri me ndjenja filloamerikane dhe në vazhdim në propagandën që bënte, të mundte të krijonte një fraksion fetar nga elemente orthodokse e myslimane të quajtur “Ungjillore” (të degës Baptizmi)”(f.II). Sipas të dhënave të dosjes shkolla e Kenedit frekuentohej nga një pjesë e mirë e popullit të Korçës, të vegjël e të mëdhenj. Në dosje është shkruar lista e arsimtarëve të shkollës. Dy prej tyre ishin nën vëzhgim periodik nga Sigurimi. Përbri emrit të tyre është kategorizimi i përpunimit “2B nga ndjekur nga seksioni i kundërzbulimit italian”. Kategorizimi 2B shënonte persona që ndiqeshin me ritëm periodik nga Sigurimi. Sipas dosjes, një pjesë e nxënësve të shkollës që mësuan anglisht vazhduan mësimet në shkollat teknike të Kavajës e Tiranës që drejtoheshin nga H.Fulc (Fultz), shkollë që sipas regjimit të kaluar kishte qenë një qendër e përgatitjes agjenturiale.

Në dosjen e “historikut” renditen 50 emra personash që frekuentonin rregullisht takimet e misionarit Kenedi dhe që ishin “në moshë të pjekur” (f.II-III). Nga këta emra 14 prej tyre kanë kategorizimin 2B, pra ishin në ndjekje periodike.

– Teuta Toska