Dosje per ungjilloretMateriali që kemi lexuar dhe studiuar, i vënë në përdorim nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (AMB), institucion që ruan të drejtën mbi këtë material sekret shtetëror, përbëhet nga 4 dosje të çelura në vite të ndryshme: Dosja e parë, që është përpiluar në 30 tetori 1955, përmban një histori të misionarëve ungjillorë amerikanë që nga viti 1908, vit i ardhjes së tyre dhe i fillimit të misionit ungjillor. Dosja e dytë, e quajtur “agjenturiale”, përmban informacione për “Organizatën botërore të kishave ungjillore” me qendër në Athinë të Greqisë, e cila “zhvillon veprimtari spiunazhi kundra Republikës Popullore të Shqipërisë në favor të zbulimeve kapitaliste…”. Dosja është cilësuar si “tepër sekret”. Dosja e tretë, e quajtur “e objektit”, ka nisur më 7 gusht 1958 dhe është mbyllur në 30 korrik 1965. Ajo mban titullin “Fashikull i dosjes së objektit të klerit ungjillor në Shqipëri”. Dosja e katërt është hapur më 10 gusht 1970. Ajo titullohet “Relacion mbi aktivitetin e ungjillorëve në Tiranë, plan masash për zbulimin e aktivitetit armiqësor të disa ungjillorëve dhe procesverbal hetuesie mbi marrjen në hetuesi të një besimtari ungjillor”.

Dosjet janë të tipave të ndryshëm. Tri prej tyre janë përpiluar nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit (Kundërzbulimi) dhe njëra nga Drejtoria e Zbulimit Politik (Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit), sektor që funksiononte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, për shkak të lidhjeve që duheshin mbajtur me rezidencat shqiptare diplomatike jashtë vendit. Njëra prej dosjeve përmban një historik të problemit në hetim, të tjerat japin informata për vitet në të cilat janë hartuar.

Duhet të themi se termi “ungjillor” në dosje nuk i referohet një koncepti të qartë fetar, që merr parasysh dallimin doktrinar të këtij grupimi si pjesë e panoramës së gjerë të krishterimit. Termi “ungjillor”, që përdoret nga hartuesit e dosjes, duket se i referohet çdo forme tjetër të krishterimit që nuk është katolik e ortodoks, a më mirë çdo forme të ushtrimit të besimit të krishterë, që nuk njihej nga shteti si fe ose nuk kishte marrëdhënie me shtetin. Ky përdorim është një tregues edhe i kuptimit që kjo fjalë ka pasur ndër shqiptarë. Pjesë e këtij emërtimi janë kështu ungjillorët e njohur nga historiografia shqiptare, me fillesë e qendër kryesisht në Korçë, lëvizje e filluar nga Gjerasim Qiriazi (i cili themeloi më 1892 “Vëllazërinë ungjillore”) dhe e vijuar në kohë nga misionarët e ardhur në vitet e para të shek.XX, Fineas dhe Violeta Kenedi, të pasuar nga Edvin Xhejksi e bashkëshortja, i njohur sot në Shqipëri edhe si autori i një monografie historike prestigjioze, si monografia “Shqiptarët, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, Edwin Jacques, “Kartë e pendë”, “Lajmi i mirë”, Tiranë.

Dosja e parë përmban informacione për ungjillorët e sabatistët (adventistët), dosja e dytë nuk ka lidhje me krishterimin shqiptar, dosja e tretë përmban informacione për ungjillorët dhe më shumë për “Dëshmitarët e Jehovait” dhe e katërta ka gjithashtu informacione për këta të fundit.

–Teuta Toska