
Dosjet janë të tipave të ndryshëm. Tri prej tyre janë përpiluar nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit (Kundërzbulimi) dhe njëra nga Drejtoria e Zbulimit Politik (Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit), sektor që funksiononte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, për shkak të lidhjeve që duheshin mbajtur me rezidencat shqiptare diplomatike jashtë vendit. Njëra prej dosjeve përmban një historik të problemit në hetim, të tjerat japin informata për vitet në të cilat janë hartuar.
Duhet të themi se termi “ungjillor” në dosje nuk i referohet një koncepti të qartë fetar, që merr parasysh dallimin doktrinar të këtij grupimi si pjesë e panoramës së gjerë të krishterimit. Termi “ungjillor”, që përdoret nga hartuesit e dosjes, duket se i referohet çdo forme tjetër të krishterimit që nuk është katolik e ortodoks, a më mirë çdo forme të ushtrimit të besimit të krishterë, që nuk njihej nga shteti si fe ose nuk kishte marrëdhënie me shtetin. Ky përdorim është një tregues edhe i kuptimit që kjo fjalë ka pasur ndër shqiptarë. Pjesë e këtij emërtimi janë kështu ungjillorët e njohur nga historiografia shqiptare, me fillesë e qendër kryesisht në Korçë, lëvizje e filluar nga Gjerasim Qiriazi (i cili themeloi më 1892 “Vëllazërinë ungjillore”) dhe e vijuar në kohë nga misionarët e ardhur në vitet e para të shek.XX, Fineas dhe Violeta Kenedi, të pasuar nga Edvin Xhejksi e bashkëshortja, i njohur sot në Shqipëri edhe si autori i një monografie historike prestigjioze, si monografia “Shqiptarët, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, Edwin Jacques, “Kartë e pendë”, “Lajmi i mirë”, Tiranë.
Dosja e parë përmban informacione për ungjillorët e sabatistët (adventistët), dosja e dytë nuk ka lidhje me krishterimin shqiptar, dosja e tretë përmban informacione për ungjillorët dhe më shumë për “Dëshmitarët e Jehovait” dhe e katërta ka gjithashtu informacione për këta të fundit.
–Teuta Toska