Më 1931, në rastin e dyzetvjetorit të Institutit Kyrias, u botua një broshurë komemorative me titullin Foleja Kombëtare. Këtu ribotohen fjalët e kryeministrit shqiptar Pandeli Evangjeli, “Pak Fjalë për Institutin Kyrias” (Foleja Kombëtare. Tiranë: Shtypshkronja “Gutenberg”, 1931. p. 31–32).
Ka qenë një kohë kur gjuhën t’onë të ambël e të bukur nuku kish leje, këtu në Shqipëri, t’a shkruajnë edhe t’a lexojnë njeri.
Në këto kohëra të rrëzikëshme për vëndin edhe për kombin t’onë, një pleiadë patriotësh Shqiptarë të çquar filluan në Stamboll (1880) lëvizjen e parë për t’a shkruar gjuhën shqipe me qëllim që t’a shtien brenda në Shqipëri.
Një nga të parët Apostoj, që e përqafoj këtë idhe të shenjtë por tepër të rrezikëshme për ato kohëra, âshtë Z-sha Sevasti Kyrias (sot Zonja Sevasti Kristo Dako), e cila më 1891 çeli të parën shkollë shqipe për vajza në Korçë, që për shumë vjete e drejtoj me zotësi e me urtësi, dyke qendruar e patundur kundrë kërcnimeve edhe ndjekjeve mâ të rrepta, që i vijshin nga sundimtarët e vendit. Ndë ato kohëra kur flitej për veprimet e saja patriotike të pa shoqta, emëri i Z-shës Sevasti Kyrias përmëndej me adhurim, posi emëri i njëj heroine.
Pasi kaloj perioda kritike, e cila âshtë edhe perioda heroike e kësaj shkolle, Zonja Dako së bashku me shoqin e vet edhe me motrën e saj, Z-shën Paraskevi Kyrias, vendosnë edhe i dhanë Institutin Kyrias një shdrivillim mâ të sosur dhe sot ky Institut Femnuer po qëndron mbi kodrën e bukur që quhet Kambëzë, që ku po vazhdon, në heshtje e në qetësi, veprën e tij dobiprurësë. Ky Institut âshtë sot, për gjithë patriotët Shqipëtarë, një Monument Kombëtar, që i tregon botës se ç’munt të bëjnë Shqipëtari vetë për lulëzimin e Atdheut.
Në kohërat e mbrame, Drejtimi i kësaj shkolle ju dorëzua Z-shës Paraskevi Kyrias, e cila me punë e provoj se âshtë në naltësi të detyrës fisnike por të vështirë që morri mbi vehte e i konsakroj jetën, posi e motra.
Këto dy Shqipëtarka të çquara i kanë shërbyer kmobit edhe në lâma të tjera veç lâmës arësimit, kur Atdheu ka qenë në rrezik; por, këtu nuku âshtë vendi të përmend gjith veprat e tyre në fushë të atdhetarizmës; dua vetëm të thom se Z-sha Paraskevi Kyrias me zotësin’ e saj i solli shërbime mjaft të mëdha Atdheut me përpjekjet që bëri në Paris si deligate e akredituar, në kohën e konferencës së paqes, kur të drejtat e kombit t’onë ishin në rrezik.
Jam gëzuar fort se m’u dha rasti të shkruanj këto pak fjalë për Broshuren Komemorative dhe të çfaq admirimin t’im për veprës patriotike të Institutit Kyrias.
PANDELI J. EVANGJELI
Tiranë, 12 Maj, 1931
transcribed from the original by David Hosaflook