Gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX në historinë dhe kulturën shqiptare u shfaqën figura të ndryshme të njohura tashmë si themelues të lëvizjes ungjillore protestante në Shqipëri. Thanas Sina, së bashku me Gjerasim Qiriazin, themeluesin e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, dhe Grigor Cilkën, pastorin misionar shqiptar në Korçë, mund të konsiderohen si tre drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje. Thanasi, të cilit shpesh i referoheshin si Athanas, njihej si një predikues dhe mësues i shkëlqyer.

Thanas Sina në Shkollën e Vashave

Sina në Shkollën e Vashave

Pasioni i jetës së tij ishte të përkthente Biblën dhe ta vendoste atë në duart dhe në zemrat e bashkatdhetarëve të tij. Ky artikull prej dy pjesësh është një kronikë e arritjeve të rëndësishme në jetën e tij si mësues, predikues, redaktor dhe përkthyes i Shkrimit të Shenjtë, si sekretari i parë i Vëllazërisë Ungjillore nën drejtimin e Gjerasimit, një Shoqëri Biblike që shiste libra, drejtor i thesarit britanik të Shoqërive të Jashtme Biblike në Rustchuk, Bullgari, Manastir dhe Korçë, publicist dhe botues. Ky prind  jo shumë i njohur i Kishës Ungjillore meriton vlerësim dhe respekt nga njerëzit e tij të dashur.

Jeta e hershme e Sinës

Thanas Stefan Sina u lind nga Stefan dhe Eftalia Sina, në vitin 1859, në fshatin Postenan afër Leskovikut në Shqipërinë Jugore. Tridhjetë vjet më parë, nga i njëjti fshat, kishte lindur Jani Vreto. Vretoja ndihmoi që të bënte të njohur alfabetin shqiptar të Stambollit dhe qe ai që rishikoi versionin e përkthyer të Psalmeve të Kristoforidhit në dialektin toskë. Th.Sina, sikurse Vretoja, studioi në shkollën “Zosimea” në Janinë. Në 1887, Thanasi u kualifikua që të bëhej  zëvendësdrejtor në Shkollën e Djemve në Korçë, pranë drejtorit Pandeli Sotiri. Tre mësuesit e parë ishin Sina, Sotiri dhe Thoma Avrami. Në përfundim të vitit të parë shkollor drejtori u largua për në Stamboll. Sina u bë drejtori i dytë i Shkollës së Djemve, i ndihmuar nga vëllai i Pandeli Sotirit, Koto. Në përfundim të vitit shkollor në 1889, Thanasi u largua, meqenëse shkolla nuk pati më leje nga Porta e Lartë. Një mik, Petro Nini Luarasi, e zëvendësoi duke u bërë kështu drejtori i tretë i kësaj shkolle. Ai u ndoq më vonë në këtë detyrë nga Nuçi Naçi. Këta tre drejtorë, Sina, Luarasi dhe Naçi, iu bashkuan Gjerasim Qiriazit si anëtarët themelues së Vëllazërisë Ungjillore në 1892 në Korçë.

Shoqëria Biblike Britanike: shpërndarës/përkthyes 1888-1895

Njëherësh me hapjen e Shkollës së Djemve, Gjerasim Qiriazi, një nga protestantët e parë të njohur shqiptar nga Vilajeti i Manastirit (Bitola, Maqedoni)  erdhi në Korçë si një shpërndarës i Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj (ShBBH) dhe si predikues i ungjillit në gjuhën shqipe. Gjerasimi kishte shërbyer si predikues nën Bordin Amerikan të Anëtarëve për Misionin e Jashtëm (BAAMJ). Në 1888, Qiriazi i kërkoi Th.Sinës ta ndihmonte në redaktimin e përkthimeve në shqip të Shkrimit të Shenjtë. Në 1891 në Stamboll, Sina u bë gjithashtu shpërndarës i Biblës dhe i literaturës shqiptare për ShBBH-në, njohur ndryshe si një colporteur. Pas vdekjes së parakohshme të Gjerasimit në 1895, Alexander Thomson-i, drejtor i ShBBH-së në Stamboll, nga 1865 në 1895, e dërgoi Sinën në Manastir në një provë që të bënte redaktimin e plotë të Psalmeve nën mbikëqyrjen e zotit Baird, një misionar i hershëm i BAAMJ në qytet. Në këtë pikë, Thomson-i ishte i pasigurt për besimin e krishterë dhe aftësitë përkthyese të Sinës.

Në 1895, Thomson-i i rekomandoi me forcë  Sinës që të bëhej ndihmësi i tij letrar për të publikuar dy botime të Psalmeve në gjuhën shqipe. Tashmë Thomson-i besonte që Sina ishte më i aftë për këtë punë sesa vëllai më i vogël i Gjerasimit, Gjergji, i cili në atë kohë shërbente si drejtor i ShBBH-së në Manastir.

Predikues ungjilli në Korçë: 1985-1899

Sipas Alexaner Thomson-it, Thanas Sina u bë një shpjegues i çmuar i ungjillit. Ai lavdërohej në Korçë si një “predikues i shkëlqyer” nga misionarët e BAAJM-it, zoti dhe zonja Leës  Bond, të cilët shërbenin në Manastir. Bondi ishte një nga drejtorët e Shkollës së Vajzave në Korçë, siç vihet re në diplomën e të diplomuarave të para në 1895, Polikseni Dhespoti, ndërkohë Sina jepte mësim në këtë shkollë (Shikoni fotot e Sinës në Shkollën e Vajzave dhe diplomën e Poliksenit në ekspozitën e Muzeut të Arsimit në Korçë ). Në 1899 në shërbesën e drejtuar nga Sina merrnin pjesë rregullisht në shërbimet ungjillore e të dielave nga tetëdhjetë deri në njëqind e pesëdhjetë njerëz.

Përkthimi i Dhiatës së Re dhe përpjekjet për shpërndarjen e saj: 1900-1905

Në 1900, me ardhjen e zotit dhe zonjës Cilka në Korçë, atëherë të sapomartuar, Th.Sina pati mundësi të kalonte katër muaj në Stamboll për të transliteruar Dhiatën e Re në shqip me germa greke me një shkrim “të ri shqiptar”. Bordi Amerikan i Misionit (BAAMJ) e dërgoi çiftin Cilka si misionarë për të ndihmuar në themelimin e kishës ungjillore si predikues dhe për të ndihmuar Sevasti Qiriazin si mësuese në Shkollën e Vajzave në Korçë. Kjo e liroi Sinën nga punët e shumta dhe i dha mundësi t’i përkushtohej përthimit të librave të tjerë të Biblës dhe të bëhej sërish një shpërndarës në pjesët qendrore dhe bregdetare të Shqipërisë. Ndërkohë Perandoria Osmane dhe Kisha Greke kundërshtonin me forcë shitjen e Shkrimit të Shenjtë dhe të librave të tjerë në shqip.

Drejtor i thesarit të ShBBH-së, Rustchuk, Bullgari: 1906-1910

Pas disa vitesh udhëtimesh të Sinës nëpër Shqipëri si një shpërndarës, ShBBH-ja e transferoi pa shumë dëshirë Sinën në Rustchuk si drejtorin e ri në Bullgari. Ai ndjeu shumë keqardhje që po linte punën në atdheun e tij dhe mendoi që pozicioni i tij do të ishte i përkohshëm. Ndërkohë në Bullgari Th.Sina mundohej me patriotizëm për çështjen shqiptare. Në 1907, Sina përktheu librin e Sami Frashërit, Shqiptarët, në greqisht.

Në korrik të vitit 1908, kur Turqit e Rinj premtuan të krijojnë një qeveri të re kushtetore që do të sillte më shumë liri, një gëzim i pamasë shpërtheu në Korçë dhe Manastir. Kur ata e shkelën fjalën, jeta u bë shumë më e vështirë. Në vilajetin e Manastirit, klubi “Bashkimi” thirri një kongres kombëtar për të përcaktuar një alfabet shqiptar të njësuar. Me shumë mbështetje financiare nga bashkatdhetarët jashtë vendit, klubi përfitoi një makinë shtypi. Kjo makinë shtypi e klubit “Bashkimi” botoi katër ungjijtë që u redaktuan nga Sina. Ky i fundit, me ndihmën e Gjergjit, rishikoi Dhiatën e Re në dialektin toskë shtypur nga “Bashkimi” në 1910 dhe me alfabetin e ri në 1912.

Pastor T. R. Hodgson vërejti në raportin e ShBBH-së në 1908 për Kongresin e Alfabetit në Manastir, që punëtorët e thesarit të ShBBH-së, Sina dhe Gjergj Qiriazi, ishin dy nga ekspertët më të mirë të gjuhës të kohërave për përkthimin e Biblës në alfabetin e tyre të ri. Në 3 prill 1909, Gjergji i shkruante pastorit T. R. Hodgson se si gazeta kombëtare shqiptare, Bashkimi i kombit, kishte nevojë për ekspertizën shkrimore të Sinës dhe që do të ishte ndihmë për të ta kishte Sinën në Manastir, që të çonte më tej rishikimin dhe përkthimin e Biblës. Gjergji shpjegonte: “Të gjithë e ndiejnë që zoti Sina është aq i domosdoshëm për kombin e tij, saqë nuk duhet të punojë për bullgarët. Ai do të jetë një bekim i madh për të gjithë ne si komb.” Në 10 tetor 1909 shqiptarë të njohur, si Deklute, Fehim,  Naim Bej dhe Selim Rifati në Manastir iu lutën Hodgsonit ta transferonte Sinën sa më shpejt në shërbimin e tyre. Kur turqit ndërhynë dhe këmbëngulën për shkrimin arab të shqipes, ShBBH-ja e mbajti Sinën në Rustchuk edhe për pak.

Sina i shkroi Hodgsonit që Perandoria Osmane po përpiqej ta asgjësonte Shqipërinë. Sina i kërkoi Hodgsonit të mbante mend thirrjen e shqiptarëve për liri përpara botës kur ai mori pjesë në Konferencën Botërore të Misionarëve në Edinburg në 1910.

—Dana Stucky

vijon në artikull pasues

previously printed in Ilira magazine