Deri në mesin e shekullit XIX gramatika të shqipes të përmendura, por që nuk janë gjetur deri më sot, janë shënuar më shumë sesa gramatika të shtypura në kohën e tyre ose dorëshkrime të gjetura dhe të botuara më vonë. Përpjesa ka qenë shtatë me gjashtë, ndërsa tashmë bëhen tetë gramatika të dëshmuara, por ende të pagjetura. E teta është nga dora e doktorit Elias Rigz (E. Riggs) prej Nju-Xhersit në SHBA. Edhe këtë radhë të dhënat për të ka pasur dashamirësinë të m’i jepte amerikani David Hosaflook, përkthyesi anglisht i ‘Rrethimit të Shkodrës’ nga M. Barleti.
Doktor Rigzi ka qenë një ndër gjuhëtarët më të shquar mes misionarëve amerikanë, që erdhën në Turqi prej vitit 1829. Kishte lindur në Nju-Providens më 19 nëntor 1810. Që në moshën nëntë vjeç nisi të mësonte greqishten dhe kur arriti katërmbëdhjetë vjeç kishte përvetësuar mirë edhe hebraishten. Në kolegj pati pedagog V. Shauflerin (W. Schaufler), i cili dinte mbi dhjetë gjuhë. Prandaj aty përgatiti një gramatikë të arabishtes dhe një doracak të kaldeishtes. Në tetor 1832 u nis nga Bostoni bashkë me të shoqen dhe në fund të janarit 1833 mbërriti në Janinë, kurse më 1834 ishte në Argos. Mund të duken këto si hollësi të panevojshme për jetën e tij, por vetëm kështu mund të kuptohet përse ai do të interesohej edhe për gjuhën shqipe. Ka qenë në Janinë vetëm dhjetë vjet pas rënies së Ali Pashë Tepelenës, kur zulma e këtij po shndërrohej në legjendë dhe, siç e kam thënë edhe më parë, ishin rrethanat që u përftuan nga sundimi i pashait të Tepelenës, të cilat e shndërruan Janinën në një kopsht të gramatikave të shqipes.
Pasi qëndroi disa vjet në Athinë, duke u marrë me greqishten, më 2 nëntor 1838 u shpërngul në Smirnë (Izmiri i sotëm), ku nisi edhe përkthimin e Biblës armenisht, të cilin e përfundoi pas 11 vjetësh. Pranvera e vitit 1853 e gjeti në Stamboll, ku do të merrej me përkthimin bullgarisht, që do ta mbaronte pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh. E vetmja leje që mori nga detyra ishte më 1856, kur u kthye në Boston dhe qëndroi si pedagog i hebraishtes në Nju-Jork, por vetëm përkohësisht, sepse e kishte mendjen te shtegu i detyrës së vet, kështu që në tetor 1858 u kthye në Stamboll. Gjatë më shume se dyzet vjetëve nxori nga duart me qindra përkthime, broshura, libra shkollorë, himne e deri shkrime greqisht dhe armenisht. Zotëronte dymbëdhjetë gjuhë dhe për nevojat e punës njihte 20 gjuhë. Gjatë një dite pazari në Izmir një misionar dëshmon se e kishte dëgjuar të fliste me tregtarët tetë gjuhë. Kështu e kuptojmë përse njihte diçka edhe shqipen. Sipas njoftimeve të Fowle nga Cesarea, mori pjesë në një mbledhje vjetore të misionit amerikan në Stamboll, ku u diskutua përkthimi për shqiptarët. Aty u shpreh, se në një cep të tryezës së vet të punës kishte një gramatikë të shqipes, të shkruar shumë vjet më parë, sepse nuk i ishte dashur shumë punë ta hartonte atë gramatikë, ndërkohë që punonte për një gjuhë të afërt.
Nga këto njoftime më del se për gramatikën e shqipes do të ketë punuar kur ishte në Izmir dhe njëkohësisht është marrë gjashtë vjet të tjera me përkthimet në gjuhën greke dhe në bullgarishten, ‘një gjuhë e afërt me shqipen’. Domethënë pas mesit të viteve 1840 i ka kushtuar vëmendje njëherazi edhe gjuhës sonë. Siç shkruhet në një libër për punën e misionarëve amerikanë në Turqi, botuar më 1913 nga David Brewer Eddy, përkthimet e tij janë lexuar e kënduar “nga dhjetëra mijëra njerëz me një shtrirje nga Deti Adriatik deri në Gjirin Persik, nga majat me dëborë të Kaukazit e deri në rërat përvëluese të Arabisë”. Fëmijët dhe nipërit e tij e vijuan punën e atit e të gjyshit, kurse djali më i madh, doktor Eduardi vdiq më 1913 po në Izmir.
Të tjera të dhëna gjenden në revistën e Shoqërisë Orientale Amerikane (Journal of the American Oriental Society), që botonte raportet për veprimtarinë e saj. Mbledhjet vjetore mbaheshin në sallën e Akademisë Amerikane në Boston; për shembull, më 24 maj 1847 u mbajt për periudhën 1846-47: Z. Rigs në Smirnë gjithashtu ka punuar me dobi për alfabetin e shqipes dhe për një gramatikë të bullgarishtes, siç e tregojnë dy broshura të vogla, që ndodhen në bibliotekën e Shoqërisë.
Interesimi i gjallë i Shoqërisë amerikane për gjuhën shqipe bëri që ajo t’i kërkonte njoftime më të hollësishme E. Rigzit. Ai u është përgjigjur më 1846 katër pyetjeve kryesore dhe meqë fjalët e tij janë përpara sesa J. G. fon Hani të vinte në Shqipëri, përpara sesa F. Bopi të përcaktonte shkencërisht se shqipja është gjuhë indo-europiane, po i përkthej të plota.
Cilit grup të gjuhëve i përket shqipja? Përgjithësiht nuk ka dyshim se i përket grupit europian ose jafetik. Mënyra e lakimit të emrave dhe zgjedhimit të foljeve; përdorimi i foljeve ndihmëse; trajtat e disave prej përemrave, si: ti, të, ju, më dhe im; e gjithashtu disa trajta të foljes ‘jam’, e tregojnë këtë marrëdhënie të përgjithshme. Por me aq sa di unë, shqipja nuk mund të klasifikohet me asnjërin grup prej familjes së gjuhëve europiane; me siguri jo me grupin sllav, gjermanik, latin ose grek. Rrënjët e saj duket se janë të veçanta për të e në një masë të madhe janë njërrokëshe.
Cilat janë dialektet e ndryshme? Nuk i kam mjetet për t’iu përgjigjur një pyetjeje të tillë. Di vetëm kaq, se ka dallim të ndjeshëm ndërmjet gjuhës që flitet në Shqipëri dhe asaj që flitet në Greqi. Ju mund të mos jeni në dijeni, që si gjuhë e folur në shtëpi shqipja mbizotëron në afërsisht gjysmën e Moresë dhe në ishujt rreth e rrotull. Megjithatë, greqishtja flitet prej gjithë banorëve në qytetet më të mëdha. Unë kam kaluar nëpër fshatrat në Argolis dhe në Korint, ku greqishten mund ta flisnin jo më shumë sesa dy a tre burra dhe asnjë prej grave ose fëmijëve. Një gjuhë e pashkruar, e përhapur në një shtrirje kaq të gjerë të një vendi, banorët e të cilit kanë kaq pak marrëdhënie ndërmjet tyre si me ata të Shqipërisë Veriore, për shembull, kundrejt atyre me Eubenë ose Hidrën, natyrisht që duhet të shfaqë dallime dialektore.
A kanë shqiptarët një gjuhë të shërbesave fetare? Nuk kanë. Meqë janë të lidhur me Kishën greke, shërbesat i bëjnë në greqishten e vjetër. Vetë kjo rrethanë ka qenë shtysë për të ngjallur ndjenjën e kombësisë dhe dëshirën për të lëvruar gjuhën e tyre amtare. Kombi e ndien nevojën për një gjuhë që të shprehë idetë fetare, prej të cilave ata të mund të kuptojnë të paktën diçka. Hierarkia greke e mbikëqyr me xhelozi që të mos ndodhë asgjë e këtillë dhe, kundrejt shqiptarëve ashtu si dhe kundrejt bullgarëve e të tjerëve, ajo përpiqet të shtypë dhe ta dëbojë gjithçka që mund të prirej drejt pavarësisë kombëtare. Ata nxisin mësimin e greqishtes dhe pengojnë mësimin e gjuhëve kombëtare në shkollat e ngritura për shqiptarët, bullgarët etj.
A kanë ata ndonjë literaturë? Unë nuk njoh ndonjë gjë. Disa prej dijetarëve të tyre janë të mendimit se Letrat e Skënderbeut, të cilat janë ruajtur turqisht, kanë qenë shkruar shqip në origjinal, me alfabetin grek ose turk, por nga gjendja e kësaj çështjeje nuk mund të ketë shumë dëshmi për këtë. Deri më sot gjithë arsimimi ka qenë greqisht ose, në raste të rralla, në gjuhë të tjera europiane. Në rast se do të ketë sukses përpjekja e bërë tashti nga zoti Veqilharxhi dhe të tjerët, që të futet një alfabet i ri, letërsia e tyre për një farë kohe në të ardhmen duhet të përbëhet kryesisht prej përkthimesh.
Kjo faqe e shkruar në fillimet e Rilindjes sonë kombëtare është një minierë e vërtetë, që do të kërkojë interpretime të hollësishme, por gjithsesi është shumë e qartë në vetvete, prandaj do të shtoj vetëm nja dy gjëra.
Për të vërtetuar se shqipja është gjuhë indo-europiane, autori sjell të dhëna nga eptimi i shqipes. Këtë ai mund ta bënte, sepse kishte hartuar një gramatikë të shqipes, të cilën e mbante mbi tryezën e punës në Smirnë. Ai pranonte se që në atë kohë kishte dijetarë shqiptarë të cilët interesoheshin deri për letrat e Skënderbeut; prej punëve të tyre njihte Abetaren e N. Veqilharxhit, madje shprehej se kishte edhe të tjerë, që mbështesnin përhapjen e një alfabeti të shqipes. Sidoqoftë, vepërza e Veqilharxhit dukshëm ka tërhequr menjëherë edhe vëmendjen e dijetarëve të huaj deri në Amerikë. Paraqitja e gjendjes gjuhësore të arvanitëve është një dokumentim i paçmueshëm, po të mos harrojmë se jemi më 1846. Por mbi të gjitha, kjo është një dëshmi historike për ringjalljen kombëtare të shqiptarëve.
Doktor Rigzi ka vënë në dukje ngjalljen e ndjenjës së kombësisë dhe dëshirën për të lëvruar gjuhën amtare. Kombi e ndien nevojën për shprehjen në gjuhën e vet dhe, duke iu kundërvënë shtypjes së huaj, po shfaq prirjen drejt pavarësisë kombëtare.
Tashti ne mund të kuptojmë përse misionarët amerikanë nisën të interesoheshin, që të bëheshin përkthime në gjuhën shqipe. Dr. Rigzi e parashihte, se në fillimet e saj literatura e re shqipe do të ecte nëpërmjet përkthimeve.
Gjithashtu tashti ne mund t’i afrohemi zgjidhjes së një enigme. Si ndodhi që Konstandin Kristoforidhi Elbasanasi u bë përkthyes i Biblës shqip? Studiuesit tanë nuk i kanë dhënë përgjigje, madje as nuk e kanë shtruar një pyetje të tillë. Hapi i parë në këtë rrugë ka qenë puna e përbashkët në vitet 1847-1850, kur ishte nxënës në gjimnazin Zosimea të Janinës, me Johan Georg fon Hanin. Ky konsull i Austrisë dëshironte të mësonte shqipen dhe me dy nxënës shqiptarë të gjimnazit për tre vjet e ka lexuar rresht për rresht përkthimin e V. Meksit, të redaktuar dhe të dërguar në shtyp nga G. Gjirokastriti. Pas botimit të veprës së njohur të Hanit, e kishte shumë të qartë se çfarë rëndësie kishte një përkthim i tillë. Por asgjë nuk mund të bënte vetë. Ngjarjet megjithatë u shtjelluan në mënyrë krejt të papritur dhe i krijuan rrethanat që dëshira e tij e rinisë të bëhej reale.
Pas Janinës Kristoforidhi u kthye në Elbasan, por njëri pas tjetrit i vdiqën të dy prindët. Xhaxhai e thirri në Durrës më 1854 dhe e përfshiu në tregti. Lidhjet tregtare Durrësi i kishte edhe me Izmirin, prandaj e dërgonte atje me punë. Dhe tashti të sjellim ndër mend, se doktor Rigzi bisedonte me tregtarët aty në tetë gjuhë. Nuk ka nevojë për shumë fantazi, që ta përfytyrojmë habinë e dr. Rigzit, kur ka ndeshur me një tregtar shqiptar, i cili jo vetëm dinte disa gjuhë, por edhe njihte fare mirë një përkthim të Dhiatës së re shqip.
Për ta ndjekur më tej këtë ngjarje si në ndonjë roman, na duhet të përmendim një emër tjetër. Sajrus Hamlini (Cyrus Hamlin, 1811-1900), pedagog dhe misionar amerikan, kishte lindur në Waterford të Mejnit. Mbaroi Kolegjin Bowdoin më 1834 dhe një seminar teologjik më 1837. Në janar 1839 erdhi në Izmir dhe e priti pikërisht doktor Rigzi. Pas disa ditësh u nis për Stamboll dhe atje e priti doktori tjetër që e përmenda më lart, Shaufleri. Siç shihet, këta njerëz jo vetëm i bashkonte puna si misionarë, por edhe e njihnin mirë njëri-tjetrin. Nuk ka dyshim se Rigzi e ka njoftuar Hamlinin për rastin e Kristoforidhit. Që më 1840 Hamlini kishte qenë ndër nismëtarët kryesorë për të ngritur në Bebek të Stambollit një seminar. Në mars 1857 ai e kishte pranuar Kristoforidhin në këtë seminar pa asnjë dyshim me rekomandimin e Rigzit. Nuk më habit edhe aq shumë kjo bashkërenditje e Rigzit me Hamlinin për ta marrë Kristoforidhin si përkthyes për një variant të ri shqip, sesa gatishmëria e menjëhershme e Kristoforidhit për ta lënë punën në Izmir dhe për t’i hyrë një rruge, që nuk e dinte se çfarë mund t’i premtonte për të ardhmen.
Shtjellimin e mëtejshëm të fatit të Kristoforidhit në këtë rrugë e kam bërë në një varg shkrimesh të tjera, të shoqëruar edhe me gjithë dokumentimin përkatës. Këtu ka rëndësi ta theksoj, se ëndrrën e Kristoforidhit për t’u bërë përkthyes dhe për të përhapur shqipen e shkruar mes bashkatdhetarëve për herë të parë e mirëpritën dhe e mbështetën misionarët amerikanë, ndër ta një gjuhëtar me nivelin më të lartë si dr. Rigzi, autori edhe i një gramatike të shqipes.
Elias Rigzi vdiq më 17 janar 1901 në Stamboll dhe atje u varros. Shpresoj se, duke u nisur nga këto të dhëna, ndonjë dashamirës i gjuhës shqipe në SHBA do të ndërmarrë kërkime në arkivat dhe në bibliotekën e Shoqërisë Orientale Amerikane, si edhe në trashëgiminë e dr. E. Rigzit për të gjetur diçka tjetër lidhur me shqipen.