Që Grigor Gjirokastriti ndërmori edhe përkthimin e disa broshurave shqip, e kam treguar duke u mbështetur mbi dëshmi të qarta te libri “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit”, botuar nga ONUFRI më 2012. Arsyeja përse këto broshura paraqesin interes të veçantë është se sipas botimit të Bibliotekës Kombëtare “Libri shqip 1555-1912” deri në vitin 1824 ka pasur gjithsej vetëm 24 libra të botuar shqip, domethënë po të jenë edhe vetëm dy broshura, përbëjnë një shtim prej 8,3 % të gjithë botimeve shqip deri atëherë. Nuk është pak.
Për ta bërë më të lehtë gjurmimin e vendit që zënë disa të dhëna të reja, po i rendis shkurt datat e njohura tashmë.
Në mars 1824 Gjirokastriti e kishte përfunduar redaktimin e Ungjillit të Mateut, të përkthyer prej Vangjel Meksit, dhe teksti u dha për shtyp. Në shtator 1824 doli kështu nga shtypi në Korfuz i pari ungjill i botuar i plotë shqip.
Më 23 mars 1824 Komiteti i Shoqërisë së Broshurave Fetare (RTS) në Londër kishte vendosur, që Robert Pinkertonit, veprimtarit më të shquar të Shoqërisë Biblike gjatë gjithë historisë së saj, t’i vinte në dispozicion 200 lira angleze për të plotësuar synimet e Shoqërisë së Broshurave, që të botoheshin broshura të përkthyera në disa gjuhë. Prej kësaj shume R. Pinkertoni kishte ndarë 25 lira, që të përdoreshin për përkthimet shqip. Shpjegimi përse e bëri këtë R. Pinkertoni gjendet në letrën e tij dërguar RTS:
22 shtator 1824, R. Pinkertoni: “Banorët e sotëm të Epirit të lashtë, të quajtur shqiptarë, kërkojnë vëmendjen tuaj të veçantë… Për të mirën e këtij populli, që sa për emër është i krishterë, unë e quaj se është koha më përshtatshme që ata të kenë fatin për të siguruar edhe disa nga botimet tuaja më të mira doktrinore e praktike në gjuhën e tyre amtare.” Ai kërkonte që broshurat të përktheheshin dhe të shtypeshin nën drejtimin e z. Wilson dhe z. Lowndes. Titujt e broshurave ishin: 1. Kryqi i Krishtit. 2. Abetarja e Njutonit për përparimin e paqes. 3. Përgjigje për pyetjet e mëdha. 4. Dialogët e Vivianit. 5. Jeta e Shën Gjon Pagëzorit. 6. Përparimi i mëkatit, dhe 7. Rregulla e artë e Watt-it.
Në tetor 1824 Komiteti i RTS vendosi: “T’i dërgohet një letër të përnderuarit Pinkerton, duke e falënderuar për përtëritjen e planeve lidhur me Shoqërinë tonë dhe të jepet mbështetje për shërbimet e tij, duke e autorizuar të tërheqë nga arkëtari shumën prej 20 lirash, që të ndihmohet për t’i qarkulluar broshurat në trevën ku jeton.”
Gjatë vitit 1825 Gjirokastriti mbeti pa punë, derisa nisi korrekturat për Dhiatën e re në janar 1826. Ishte në ngushticë aq të madhe, sa ishte gati të kthehej në Greqinë nën sundimin osman.
Më 9 korrik 1829 I. Laundzit (I. Lowndes) RTS i ka shkruar: “Do të kishim dëshirë të na shkruanit nëse është arritur ndonjë rezultat pozitiv me Broshurat e shtypura shqip dhe nëse keni ndër mend t’i ribotoni ato… Komiteti ju autorizon që t’i përdorni të ardhurat për qarkullimin e broshurave shqip dhe greqisht.” Prej kësaj del e qartë, se broshurat janë botuar, madje pas pak vjetësh është kërkuar ribotimi i tyre. Nuk del e qartë, nëse ishin dy apo shtatë.
Dyzet vjet më vonë, më 12 dhjetor 1867, I. Laundzi i ka përmendur këto botime: “Përpara se të botohej Dhiata e re besoj se kam shtypur edhe dy broshura dhe një botim të vogël të Ungjillit të Mateut… Kjo është bërë para se të formohej alfabeti shqip dhe prandaj janë përdorur kombinime të shkronjave greke për të shprehur tingujt e veçantë të shqipes”. Laundzi ka qenë një njeri këmbëngulës, i cili madje së bashku me T. Platin nga Londra ka përpunuar alfabetin, me të cilin u botua Dhiata e re më 1827. Emri i tij del më vonë edhe lidhur me punën e K. Kristoforidhit. Po këtu marrim vesh se ai ka qenë edhe përcaktuesi i një alfabeti më pak të përpunuar për dy broshurat shqip.
Përfundimisht deri më sot kemi pasur bindjen se Gjirokastriti ka përkthyer nga greqishtja të paktën dy broshura dhe ato janë shtypur më 1825. Por nuk kemi gjetur asnjë prej tyre dhe mbetet një detyrë e fortë për ta plotësuar.
Tashti, me ndihmën e Neil Rees-it, autorit anglez të librit “Mërgimi mbretëror”, botuar edhe shqip në Londër më 2010, kam disa njoftime të reja.
Revista amerikane e broshurave (The American Tract Magazine), në vëllimin I të qershorit 1824, na vë në dijeni se Rev. I. Lowndes u ka shkruar nga Korfuzi: “Kam kënaqësinë të njoftoj se nga Shoqëria e Broshurave Fetare janë vënë 100 lira në dispozicion të z. Wilson dhe timit për të përgatitur e botuar broshura fetare në gjuhën greke dhe shqipe. Përpara sesa të merrja këtë shumë, unë kisha bërë që të përkthehej shqip “Rregulla e artë” prej kryepeshkopit të Negropontit, i cili është vendës nga Shqipëria; tashti ai është duke përkthyer “Doktrinën e kryqit”. E kam të gatshme për shtyp broshurën “Përgjigje për pyetjet e mëdha” në greqishten e re dhe kam ndër mend ta dërgoj në Maltë; por propozoj t’i shtyp këtu broshurat shqip.”
Mendoj se këto të dhëna, ndonëse bien pakëz në kundërshtim me dëshmitë e renditura më sipër, janë më të besueshme. Ato janë drejtpërdrejt nga ditët kur po bëhej puna. Pa dyshim, edhe R. Pinkertoni ka biseduar me I. Laundzin, ka marrë këto të dhëna prej tij dhe prandaj Shoqërisë së vet i ka kërkuar që punën ta drejtonin Uilsoni dhe Laundzi. Gjithsesi, më e rëndësishmja është se tashmë i kemi të përcaktuar qartë titujt e dy broshurave mes atyre 7, që kishte renditur Pinkertoni. Ka qenë Laundzi shtytësi për këto broshura, sepse ai bashkëpunonte ngushtë me Gjirokastritin.
Nga ana tjetër, këto njoftime më sjellin te një përfundim i papritur për mua. Është e nevojshme të shfletojmë një faqe tjetër të panjohur për punën e shqipes së shkruar: veprimtarinë e misionarëve amerikanë dhe botimet e tyre. Po sjell dy raste.
Në vëllimin XXIV të revistës “The Missionary Herald” për vitin 1828, që përmban punimet e Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet e huaja, Boston, faqe 34, lexojmë: “Shoqëria Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja ka në punë si përfaqësuesin e saj në Stamboll të Përnd. H. D. Leeves. Veprimtaria e tij në atë qytet dhe në rrethinat e tij ka qenë me interes shumë të amdh. Gjatë vitit 1826 ai ka nxjerrë 7.034 kopje të vëllimit të shenjtë në 14 gjuhë të ndryshme. Shqiptarët kanë shfaqur një gëzim të madh, kur për herë të parë e morën Ungjillin e Mateut në dialektin e tyre. Shtypja e gjithë Dhiatës së re shqip nisi në janar 1826 dhe pothuaj kishte përfunduar në maj të vitit të kaluar. Shumë fshatra kanë nisur të dërguar të tyre për të kërkuar në emër të tyre kopje të dhiatave.”
Rasti i dytë është edhe më interesant. Njoftimin këtë radhë e kam nga David Hosaflook, një amerikan që jeton e punon prej shumë vjetësh në Shqipëri dhe ka përkthyer e botuar për herë të parë anglisht “Rrethimin e Shkodrës” të autorit tonë të shquar, Marin Barletit. Në revistën e Shoqërisë Orientale Amerikane, vëllimi I, nr. 4 1849, që pasqyronte punimet e saj, për 29 shtatorin 1847 ndër të tjera shkruhej: “Z. Riggs nga Smirna gjithashtu ka punuar me fryt për alfabetin e gjuhës shqipe dhe për gramatikën e bullgarishtes; siç mund ta tregojnë dy broshura të vogla në bibliotekën e Shoqërisë.” Për këtë zotin Riggs do të shkruaj hollësisht një herë tjetër, sepse na ka bërë befasi të tjera lidhur me shqipen, por këtu kemi një të dhënë se ndoshta është fjala për dy broshurat, që u cekën këtu më sipër. Po edhe në mos qofshin ato, sërisht ka diçka me interes të veçantë për të bërë kërkime në bibliotekën e asaj Shoqërie amerikane.
Shpresoj se do të kemi prurje të reja nga burimi amerikan i pashfrytëzuar. Aq më tepër se na vjen ndihma edhe e miqve të huaj, të interesuar për shqipen tonë.