(pjesë nga shkrimi i Mihal Gramenos për Shkollën e Vashave, Jamestown, N.Y., 1918)

Mihal Grameno

Mihal Grameno

Nuk duhen harruar kurrë shërbimet e mëdha që i ka sjellë çështjes “foleja kombëtare”, e cila ishte një qendër dhe një fortesë, ku mblidheshin edhe ku përhapeshin ndjenjat e shkëndijat kombëtare. Kjo “fole” ishte shkolla e vajzave në Korçë, e themeluar prej Gjerasim D. Qiriazit, emrin e të cilit, historia e Shqipërisë do ta shkruajë me shkronja të arta, duke u mburrur me veprat dhe me shërbimet e tij të paçmuara që ka sjellë mbi altarin e atdheut!

Mjerisht, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe dhe kështu foleja kombëtare mund të mos sillte pemët e pastajme po të mos ish përkujdesur Gjerasim Qiriazi të përgatiste dhe të linte trashigimtarë, të cilët të gjurmonin edhe mbushnin programin e qëllimin e tij kaq të lartë dhe kaq të shenjtë!

Trashëgimtarët nuk ishin të tjerë, veçse dy vajza, të cilat kishin lindur vetëm për lumturinë dhe për nder të kombit shqiptar, duke u mburrur me emrat e tyre përpara botës së qytetëruar. Po, këto vajza ishin zonjëzat Sevasti Qiriazi (sot Zonja Dako) dhe Parashqevi Qiriazi, motrat e të ndjerit (Gjerasim), si dhe vëllai i tij, i ndjeri Gjergj dhe Kristo Dako, të cilët vepronin në Manastir për qëllim kombëtar.

Shërbimet e këtyre motrave janë kaq të mëdha sa nuk jemi të zotë që t’i tregojmë, andaj ia lëmë historisë dhe ne do të tregojmë vetëm kujtimet e bukura dhe të paharruara pas lirisë së Turqisë.

Cili vallë nga korçarët nuk sjell ndër mend ëmbëlsirat kombëtare të asaj kohe?

Cili nuk psherëtit edhe sot në kujtim të atyre mbledhjeve që mbaheshin në “folenë kombëtare”, ku shtohesh bashkimi, vëllazëria, dashuria, dhe që përhapeshin ndjenjat kombëtare?

Në “Folenë kombëtare” drejtuar prej motrave patriote Sevasti dhe Parashqevi dhe patriotit të palodhur Grigor Cilka, mbaheshin konferenca të premteve mbrëma, në të cilat merrnin pjesë zonja, burra dhe djem, duke dëgjuar konferencierët, të cilët me oratorin’ e tyre përhapnin arsimin, atdhetarizmën, qytetërimin edhe forconin bashkimin, vëllazërimin dhe shtonin dashurinë e zellin për punë!