Brezave të sotëm, të cilët janë rritur nëpër kopshte dhe kanë ndjekur shkollat, ku i gjithë personeli përbëhet prej mësuesesh, u duket e pabesueshme t’u pohosh, se ka qenë një kohë, kur vajzave shqiptare as që ua lejonin të shkonin në shkollë njësoj si djemtë. Kjo e bën domethënëse të ndiqet, se si është bërë ky kapërcim i madh, në të cilin një vend nderi zë Shkolla e vajzave në Korçë, që u hap 125 vjet më parë.

Në radhë të parë, hapja e kësaj shkolle nuk ka qenë një akt i rastit dhe i papritur. Ne e dimë se ajo u ngrit vetëm pesë vjet pas Mësonjëtores së parë shqipe po në Korçë, e cila ia shtroi me mbarësi rrugën, ndërsa rrënjët e shkollës shqipe shkojnë mjaft më thellë në histori dhe prej tyre u ushqye kjo lule kombëtare. Ajo e ka vendin në faqet mbresëlënëse të rrugës së arsimit shqiptar, që ishte një prej drejtimeve më të rëndësishme të punës së rilindësve.

Nuk ka nevojë të flitet me hollësi për gjendjen e rëndë, të prapambetur, të paditur dhe të mjeruar të gruas në Shqipëri gjatë shekujve të shoqërisë patriarkale, feudale dhe të sunduar prej pushtuesve të huaj. Është e nevojshme të gjurmohet kur u dukën rrezet e para të interesimit për fatet e saj jo sepse thjesht është gjysma e popullsisë së vendit, por sepse ajo është nëna e kombit me domethënie jo të figurshme, me kuptimin e drejtpërdrejtë, ngaqë janë gratë të cilat i lindin dhe i rritin bijtë e bijat shqiptare, e ruajnë të pashterur dhe e shtojnë gjakun shqiptar.

Ishte Rilindja Kombëtare, që e shtroi ballas dhe nga disa anë problemin e zgjimit dhe të ngritjes së gruas si bashkëluftëtare e burrit në luftën për liri, për drejtësi dhe përparim. Janë të gdhendura në mermer fjalët e Sami Frashërit për gruan shqiptare dhe të ardhmen e saj në një shoqëri të lirë e të përparuar. Nuk është e rastit atëhere, që në gjithë ligjëratën rilindëse vend qendror zë figura e dritës dhe e diturisë si dritë. Pothuaj kushdo i ruan në kujtesë fjalët e Naimit: “Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë.”

Përmes mundimeve, vështirësive e përpjekjeve të papërfytyrueshme, u arrit që të merrte trajtë shqipja e shkruar dhe të bëheshin libra, pa të cilët nuk mund të ketë shkollë. Më 1 janar 1893 Gjerasim Qiriazi ka bërë pyetjen: “Cili është ai njeri që ka pak ment, mos të dijë se udha më e drejtë edhe m’e shkurtër për të ndriçuar një komb është gjuha e tij?”

Mbi të gjitha do shënuar, se shkollat e reja shqipe u hapën si zbatim i kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila në Programin e botuar më 15 shtator 1878 kërkonte që në të gjitha shkollat të jepej mësimi i shkrimit dhe i leximit të gjuhës shqipe dhe të caktohej në të ardhurat e vilajetit një fond për përhapjen e arsimit.

Frymëzuesi dhe themeluesi i kësaj shkolle ka qenë Gjerasim Qiriazi. Ai e nxori lejen duke e paraqitur si mësonjëtore anglisht, sepse përndryshe kurrë nuk do ta pranonte Stambolli. Ishte Naimi që e siguroi iradenë dhe ishte po ai që e kishte vulosur diplomën e Sevastisë, një garanci e nevojshme përballë arbitraritetit të mehmurëve. Më 1885 Gjerasimi kishte nisur mësimin e shqipes me tri vajza shqiptare, nxënëse të shkollës së vajzave të Misionit Amerikan dhe në dhjetor tashmë kishte 10 nxënës të dielave. E motra, Sevastia, ka shkruar se ishte Gjerasimi që i mësoi shkrimin e këndimin në gjuhën amtare, ndërsa ajo sillte në dhomën e leximit shoqet e saj dhe u tregonte librat shqip, domethënë e para shkollë për vajzat shqiptare ka qenë vetë shtëpia e familjes Qiriazi. Mund të pohoj se rreth kësaj vajze në një çast historik, kur mori diplomën në Stamboll, u mblodhën rilindësit e shquar dhe kondensuan të gjitha aspiratat e tyre.

Që në fillim të vitit 1891 atdhetarët mblodhën fonde për shkollën e ardhshme, po dhanë edhe W. Sellari i Shoqërisë Biblike në Stamboll, edhe I. Brauni i Shoqërisë amerikane të Ndihmave. Komiteti i Bordit Amerikan caktoi 145 lira për vitin e dytë shkollor. Gjerasim hartoi planin mësimor, ndërsa besoj se kam të drejtë të them që themeloi “Shtëpinë botuese të librit shkollor Qiriazi”, sepse të dy vëllezërit dhe të dy motrat përgatitën libra dhe materiale të tjera për të punuar nxënësit. Sevastia, drejtoresha e parë shqiptare, zbatoi një model amerikan si për shkollën, edhe për organizimin e grave përgjithësisht. Ajo pati pranë vetes Fanka Eftimin, e cila po ashtu vinte nga shkolla e Samokovit. Parashqevia, e cila erdhi më 1904 nga Stambolli po prej Kolegjit Amerikan, përgatiti më vonë një projekt të sistemit arsimor kombëtar. Nga ana e vet, populli ynë nuk e harroi asnjëherë veprën e tyre të çmuar. Për këtë më lejoni të përmend vetëm një fakt: më 9 qershor 1990 në Kosovë u ngrit Shoqata “Motrat Qiriazi” kundër analfabetizmit.

Shkolla e vajzave është quajtur “Foleja Kombëtare” nga Mihal Gramenoja jo vetëm sepse rriste në gjirin e vet ato që do të përhapnin diturinë dhe qytetërimin mes vajzave e grave shqiptare. Krahas mësimeve brenda klasave, ajo rrezatonte edhe përtej mureve të tyre. Sipas shembullit të Mësonjëtores, në oborrin e saj mblidheshin të rritur gjithashtu të etur për shqipen e për të thithur frymën kombëtare. Prej andej përhapeshin librat shqip. Aty vinin si në një strehë amtare luftëtarët e lirisë. Aty Parashqevia do të bënte mbledhjet e shoqërisë së grave “Ylli i mëngjesit”. Në këtë vatër nuk depërtoi përçarja fetare, sepse ishte shembull i prekshëm i tolerancës fetare. Mbyllja e vitit shkollor ishte një festë si për nxënëset e prindërit, edhe për gjithë qytetin. Në ceremoninë për vitin 1897-1898 u dha një program i veçantë për gratë myslimane dhe unë do të thosha, se këto kanë qenë të parat spektatore myslimane, të cilave kurrë më përpara nuk ua kishin lejuar këtë hapësirë kulturore.

Një lëvizje e gjerë kombëtare në shumë qendra jashtë vendit e mbështeste arsimin nga ana financiare, botonte e dërgonte tekste shkollore, përgatiste mësues, ngrinte zërin për mbrojtjen e arsimit shqip e sidomos botonte shtypin, një luftëtar zëplotë që u tregonte vendin gjithë armiqve të shkollës shqipe. Rrjedhimisht, Shkolla e vajzave nuk ishte një kandil i vetmuar, por u rrethua nga dritat që po ndizeshin herë të hapura e herë të mbuluara në gjithë Shqipërinë e jashtë saj.

Këtë fole nuk arriti ta shkatërronte veprimtaria e gjithanshme e pushtuesve, e shovinistëve dhe e fanatikëve fetarë antishqiptarë. Faktet janë të panumërta dhe mjafton të rendis emërtimet e tyre: kundërshtime, shpifje, kërcënime, akuza, mallkime, shkishërime, shantazhe, prapaskena, komplote, përndjekje, gjyqe, burgosje, atentate.

Ndërkaq, kjo nuk ishte një veprimtari e izoluar, e përftuar vetëm nga proceset e brendshme. Protestantët, që vinin nga qytetërimi europian, i shqetësonte gjendja e prapambetur e gruas në Shqipëri. Interesimi i protestantëve për arsimimin e femrës ka qenë i përhershëm. Në letrat e A. Tomsonit ka një numër të pamatë thëniesh për nevojën e arsimimit të gruas. Ai ka bërë edhe konkretisht përçapje për të ngritur klasa ose shkolla të shqipes. Provën e parë e bëri me depozitarin Herman Rajdel (Riedel) në Shkodër më 1865. E shoqja e tij arriti të kishte në një klasë të shqipes 6 nxënëse dhe të varfrat ndër to nuk paguanin. Ishte një rastësi fatlume, që Bordi Amerikan i Komisionerëve për Misionet e Huaja (themeluar më 1810) me J. Baird-in dhe E. Jenney-n u vendosën më 1873 në Manastir, pikërisht në shtëpinë prapa banesës së familjes Qiriazi. Më 1877 Gjerasimi u pranua në bashkësinë protestante dhe më 1878-1882 ndoqi Kolegjin Amerikan të Samokovit.

Tomsoni ka paguar të hollat, që Gjerasimi të shkonte në Samokov. Klasën e mbrëmjes në Manastir më 1882 e kishte kërkuar, sepse “mjeti i vetëm për arsimimin e një kombi është gjuha amtare.” Për Sevastinë përgatiti një preventiv të plotë për gjithë shpenzimet që do të duheshin deri në përfundimin e shkollës në Stamboll, madje edhe për qiranë e ndërtesës shkollore në Korçë, për orenditë, librat etj., deri te pagesa e pastrueses së shkollës.

Në bashkëpunim me atdhetarët tanë, misionarët amerikanë në fillim të viteve 1890 përpunonin planet për të botuar një gazetë shqipe. Baird-i i ka shkruar qendrës në Boston (16 nëntor 1892), se nevojitet një makinë shumëfishuese (hektograf) për të nxjerrë një botim të përmuajshëm, i cili të shndërrohej më pas në një periodik. Ndër qëllimet e para të “Vëllazërisë Ungjillore” ishte mbështetja e gjithanshme e shkollës shqipe. Që në numrin e parë të “Letrës së Vëllazërisë” theksohej: “Ndë daçim të sjellim qytetërimin, mirësinë dhe ditë të bardha për Shqipërinë, këto mësime duhen mbjellë në çdo zemër.” Po edhe jashtë lëvizjes, veprimtaria arsimore ndiqej me interes. Nënkonsulli Hauard Shipli në Manastir ka shkruar (23 mars 1893) se: “Përpjekjet e zotit Qiriazi, veçanërisht në anën arsimore, gëzojnë përkrahjen e madhe të Misionit Amerikan në Manastir.”

Kur shkolla u rrezikua të mbyllej përfundimisht prej autoriteteve osmane më 1908, mori emrin “Shkolla amerikane” dhe drejtor u bë misionari Fineas Kenedi. Si drejtor, ai e mbajti atë edhe më 1910, kur u ndaluan të gjitha shkollat e tjera nga osmanët. Më 1912 dhe 1914 shkolla pësoi goditje të rënda nga bandat shoviniste greke dhe në ato vite e kanë vijuar ndihmesën e tyre misionarët Fineas Kenedi dhe e shoqja, të cilët gjithashtu u përndoqën. Më 1914 u ngrit një Bord Administrativ i posaçëm për shkollën. Ndërsa me largimin e Bordit Amerikan, e gjithë puna dhe vetë shkolla i kaluan Misionit Metodist në Bullgari më 1921. Kur shkolla u shpërngul në Tiranë më 1922, kjo u arrit me ndihmën financiare të milionerit amerikan Çarlz Krejn, me ftesë të Sulejman Delvinës dhe u quajt “Instituti Qiriazi. Lice për vajza”, duke pasur drejtor Kristo Dakon, bashkëshortin e Sevastisë.

Për iluministët Qiriazi dituria kishte vlerë intelektuale, por edhe morale, shoqërore, praktike, atdhetare dhe fetare. Gjerasimi e kishte porositur Sevastinë: “Të ndezësh dashuri në gjithë zemrat – dashuri për atdheun dhe dashuri për të mësuar gjuhën amtare.” Kjo shkollë ishte një mishërim konkret i idealeve rilindëse.

Në këtë optikë më të hapët, Shkolla e vajzave na shfaqet si një hap i rëndësishëm i arsimit shqiptar, e gjithashtu edhe më gjerë, sepse ajo bën pjesë në një proces më të madh e më të thellë të qytetërimit të gruas shqiptare. Ky nuk është një pohim, që e formulojmë sot për lavdërim. Drejtueset e shkollës ishin të vetëdijshme, siç e ka thënë Gjergj Qiriazi në janar 1901, se punonin “që të zgjojnë kombin nga gjumi i thellë dhe të shkojnë përpara në qytetërim njëlloj si popujt e tjerë.” Dy vjet më pas Korçën e vizitoi dashamirësja e shquar e shqiptarëve, anglezja Edith Durham, e cila ka shkruar: “Korça është e qytetëruar. Në Shkollën shqipe të vajzave m’u bë një pritje shumë e ngrohtë. Shkolla ishte aq ‘moderne’, sa m’u duk sikur befas isha kthyer prapë në Europë.” (Brenga e Ballkanit, përkth. shqip 1990, f. 48) Vetë Gjergji po në të njëjtën frymë ka thënë më 1910 se: “Shqiptari nuk është një njeri, që rri ulur, duke iu nënshtruar me durim shtypjes e paditurisë. Ai është një europian, krenar për traditat e kombësisë dhe të lirisë.” Në Raportin e Shoqërisë Biblike nr. 107, një vit para pavarësisë vihet në dukje: “Kurrë zelli i tyre për dije dhe për bekimet e qytetërimit nuk ka qenë kaq i fortë e i pasionuar sa sot.”

Duke u nisur nga këto fjalë, mund ta quaja se me këtë shkollë u çel agimi i qytetërimit për gruan shqiptare, edhe vetë Shqipëria hodhi një hap që të bëhej Europë, ndërsa kjo tingëllon me jehonë në ditët e sotme, kur përditë përsërisim se po bëjmë gjithçka për të hyrë në Europë.