Rev. Dr. [Aleksandër] Thomson, Konstandinopojë, botuar më 29 shtator 1892, te Gazeta “I krishteri”. Në këtë artikull të panjohur dhe të pabotuar asnjëherë më parë në shqip, misionari skocez i Shoqërisë Biblike bën thirrje për mbështetje financiare për të ndihmuar shkollën e parë shqipe për vajza dhe kishën e parë ungjillore shqiptare në Korçë:
Është e njohur për shumëkënd se, përmes veprimtarisë së Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vende të Huaja, e mbështetur nga ajo e Shoqërisë së Broshurave Fetare, jo pak është bërë për t’ia dhënë Ungjillin në gjuhën e vet një race europiane që, për shekuj me radhë, është mbajtur në një gjendje pothuajse të paimagjinueshme robërie. Shumica e tyre janë anëtarë të Kishës Greke, qoftë të degës greqishtfolëse, qoftë të asaj sllavishtfolëse, megjithatë u mohohet përdorimi i gjuhës së tyre amtare si mjet mësimi apo ndriçimi shpirtëror, dhe u thuhet se do të ishte përdhosje të flitej apo të lexohej për çështje të shenjta në një dialekt kaq të mjerë. Kështu flasin grekët për gjuhën shqipe, aq interesante në çdo drejtim për filologët dhe historianët. E kuptojmë se qëllimi i tyre politik është ta pretendojnë Shqipërinë si pjesë të Greqisë, por ne, për asnjë shkak, nuk mund t’u ndalojmë Ungjillin njerëzve që po humbasin, sidomos pasi pothuaj gjysma e kombit kishte dëshmuar muhamedanizmin për të hyrë në ushtrinë turke, e vetmja mënyrë që u ofrohej për veprimtarinë ë tyre.Që prej vitit 1861, kur u bë një përpjekje e vendosur dhe këmbëngulëse për të përhapur me shitje Dhiatën e Re në greqisht dhe shqip, ka pasur një ndryshim të mrekullueshëm në qëndrimin e atij populli. Ata kanë filluar ta çmojnë Fjalën e Perëndisë si kurrë më parë; u janë hapur sytë për të parë bukurinë dhe kuptueshmërinë e gjuhës së tyre, aq shumë të përçmuar; një frymë nderuese e kombësisë është zgjuar; dhe, mbi themelin e një kombësie dhe gjuhe të përbashkët, ka pasur një bashkim të habitshëm mes thyejave të ndryshme shoqërore, në të cilat dikur kombi dukej i ndarë pa shpresë. Muhamedanët sidomos i blejnë me shumë dëshirë Shkrimet e Shenjta të krishtera, dhe i nxisin vëllezërit e tyre të krishterë të bëjnë të njëjtën gjë, të cilët shpesh pengoheshin nga kërcënimet e klerit të tyre.Që prej se z. Gjerasim D. Qiriazi u emërua para gjashtë vjetësh mbikëqyrës i shpërndarjes së Biblës në Shqipëri dhe Maqedoni, ai ka mbajtur rregullisht pothuajse çdo javë shërbesa adhurimi publike në gjuhën shqipe; dhe që nga caktimi i tij para dy vjetësh për në Korçë, një qytet në rrugën tranzite nga Adriatiku për në Maqedoni, si qarkullimi i Shkrimeve ashtu edhe interesimi i popullit për udhën e jetës janë shtuar jashtëzakonisht. Një burrë, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, është pranuar anëtar i kishës së Misionit; pjesëmarrja në shërbesat varion nga 25 deri në 50 vetë; dhe në Shkollën e të Dielës është treguar shumë interes, me shumë nëna që shoqëronin fëmijët e tyre, të tërhequra shumë nga këndimi i përkthimeve në shqip të himneve të z. [Ira] Sankey, aq plot shpresë e besim ungjillor.Para një viti motra më e vogël e z. Qiriazi, Sevasti, e cila atëherë kishte përfunduar arsimimin në Kolegjin Amerikan për Vajza në Konstandinopojë, hapi një shkollë për vajza në Korçë, në shtëpinë e të vëllait, ku gjuha e mësimdhënies ishte shqipja. Në korrikun e kaluar, shkolla u ekzaminua publikisht në praninë e guvernatorit turk dhe stafit të tij zyrtar, si dhe një audience të madhe prej familjarëve të nxënëseve dhe qytetarëve të Korçës. Arritjet e fëmijëve, si në njohurinë e Shkrimit të Shenjtë ashtu edhe në arsimin e përgjithshëm, ishin tejet të kënaqshme dhe ngjallën miratim të përgjithshëm, veçanërisht një shenjë falënderimi të sinqertë për nxitësit e shkollës, domethënë për Shoqërinë në Ndihmë të Misioneve në Turqi, dhe në mënyrë të tërthortë për Shoqëritë të Biblës dhe Broshurave Fetare.Rezultati ka qenë shumë i kënaqshëm. Dyfishi i numrit të mëparshëm të nxënëseve tani kërkojnë të ndjekin shkollën; institucioni vetë ka marrë miratimin e Qeverisë; do të nevojitet një ndihmëse femër, dhe ajo tashmë është gati të vijë; dhe, meqë është e pamundur të ofrohet arsimim i kënaqshëm vetëm përmes gjuhës shqipe, do të jetë e domosdoshme të mësohen edhe anglishtja dhe greqishtja; kjo do të kërkojë, supozohet, të paktën edhe një mësuese tjetër. Është thënë se shkolla dhe shërbesat fetare janë mbajtur deri tani në shtëpinë e Rev. Gerasim Qiriazit. Megjithatë, kjo nuk pajtohet me rrjedhën e ligjit turk dhe, në fakt, as nuk mund të vazhdohej gjatë. Për këtë arsye është blerë një shtëpi e re me ndihmën e Bordit Amerikan dhe kontributeve të tjera, dhe po bëhen riparime e shtesa që ta përshtasin atë si objekt kishe dhe shkolle.Vetë shqiptarët kanë treguar shumë bujari në këtë rast; por miqtë e së vërtetës janë ende relativisht të paktë, ndërsa kundërshtarët e tyre janë të shumtë dhe me ndikim. Prandaj, për përfundimin e blerjes, riparimeve dhe shtesave të shtëpisë për kishë dhe shkollë, pagesën e mësuesve shtesë, blerjen e mobilieve shkollore, si banka dhe karrige, ashtu edhe hartave, ilustrimeve, librave dhe materialeve të shkrimit, llogaritet se një shumë prej të paktën 150 £ stërlina nevojitet për vitin e ri shkollor që sapo ka filluar. Ashtu si në të gjitha shkollat greke në Maqedoni dhe Shqipëri, arsimi është falas, shkollat mbahen nga vetë komuniteti. Kështu edhe në këtë shkollë shqipe arsimi është plotësisht falas.Për të treguar zellin me të cilin shumë njerëz e vlerësojnë këtë shkollë, mund të përmendet se, meqë konsiderohet e papërshtatshme që një vajzë 12 ose 13 vjeç të shfaqet publikisht si nxënëse, jo pak prej nxënëse të tilla shkonin herët në mëngjes, qëndronin aty gjithë ditën, duke marrë me vete ushqimin, dhe ktheheshin në mbrëmje, që të mos humbnin privilegjin e pjesëmarrjes. Takime grave janë mbajtur gjithashtu nga znj. Sevasti. Mësueset lëvizin çdo javë nga një shtëpi në tjetrën ndër familjet më të mira të qytetit, të cilat i prisnin me shumë zemërgjerësi për studimin e Fjalës së Perëndisë dhe lutje.Misioni i Bordit Amerikan në Bullgari dhe Maqedoni, nga i cili Rev. Gerasim Qiriazi u mësua në Samokov, u licencua si predikues dhe, para dy vjetësh, u shugurua si ungjilltar për bashkëkombësit e vet, mban interes të madh për përparimin e së vërtetës mes shqiptarëve – të cilët numërojnë në Turqi, besohet, rreth tre milionë e gjysmë. Rev. z. Baird, me nxitjen e tyre, ka bërë përparim të madh në studimin e gjuhës shqipe dhe ka vizituar disa herë Korçën duke raportuar me vlerësime pozitive. Së fundmi, edhe Rev. z. dhe znj. Bond vizituan Korçën dhe u kthyen me përshtypje shumë të mira mbi punën atje. Por Bordi Amerikan nuk është në gjendje të japë ndihmën financiare të nevojshme, prandaj kjo ftesë: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo” [Veprat 16:9–10].Çdo gjë e dërguar për Rev. T. W. Brown, të Shoqërisë në Ndihmë të Misioneve në Turqi, 32 The Avenue, Bedford Park, Chiswick, Londër, ose për Rev. Dr. Thomson, Bible House, Konstandinopojë, do të pritet me mirënjohje të thellë.