parashqevi-qiriazi_arkiva_albert-vataj_p1080241 2Pak gra kanë arritur të bëjnë atë që Parashqevi D. Qiriazi mori përsipër dhe arriti gjatë jetës së saj. Fëmija i dhjetë dhe më e vogla e Dhimitrit dhe Maries, lindi në 1880 në vilajetin e Manastirit, në Perandorinë Osmane. Në fëmijëri Parashqevia mësoi pesë gjuhë dhe më vonë, në rini, mësoi të flasë edhe dy të tjera. Megjithëse e imët në shtat, ndikimi i saj qe i jashtëzakonshëm. Pas diplomimit më 1904 në Kolegjin Amerikan për Vajza në Konstandinopojë, ku vitin e fundit ishte presidente e studentëve, ajo u emërua drejtoreshë dhe mësuese e Shkollës së Vajzave, e para shkollë e tillë në Shqipëri, nga 1904-1905 dhe përsëri nga 1910-1911, kur motra e saj, Sevasti Qiriazi, nuk ishte aty. Nga 1907-1908, Parashqevia ishte përkthyesja dhe mësuesja e gjuhës për misionarin Phineas B. Kennedy, i cili sapo kishte ardhur i dërguar prej Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet e Huaj (American Board of Commissioners for Foreign Missions) me kërkesën e vetë Shkollës.

Më 1908 Parashqevia ishte e deleguara e Shkollës së Vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit, ku ajo u caktua sekretare e njëmbëdhjetë burrave të respektueshëm, që do të zgjidhnin problemin e alfabetit shqip. Paskëtaj, ajo shkroi në vitin 1909 Abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar. Ajo është e njohur, së bashku me motrën e saj, për emancipimin e grave shqiptare dhe për rolin e saj kryesor në themelimin e shoqatës së parë të grave “Yll’ i Mëngjesit”, më 1912 në qytetin e Korçës. Në vitin 1913 ajo përfundoi masterin për edukim në Kolegjin Oberlin në Ohio. Në tezën e masterit ajo hartoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar.

Pas luftërave ballkanike dhe në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ajo iku për të shpëtuar jetën e saj (si shumë të tjerë) në Bukuresht më 1914 dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara më 1915. Në Boston, ku u vendos, ia kushtoi jetën çështjes së çlirimit të vendit të saj dhe emancipimit të grave, duke themeluar dhe botuar revistën shqiptaro-amerikane Yll’ i mëngjesit, që doli nga 1917 deri më 1920. Më 1919 ajo lundroi për në Paris si e vetmja grua diplomate shqiptare në Konferencën e Paqes, ku përfaqëson Partinë Kombëtare Shqiptare në Amerikë. Me gjithë fushatat e fuqishme për ta ndarë Shqipërinë mes vendeve fqinje, konferenca përgjithësisht miratoi kufijtë shqiptarë, siç ishin caktuar në vitin 1913 në Konferencën e Paqes në Londër.

Në fillim të viteve 1920, Parashqevia kthehet në atdhe me kunatin dhe motrën, Kristo dhe Sevasti Qiriazi-Dakon, në mënyrë që të vazhdonte të punonte për edukimin e vajzave shqiptare. Instituti Qiriazi (Kyrias) për Vajza, që sapo ishte hapur afër Tiranës, do të nxirrte mësuese që ishin të domosdoshme për shumë shkolla të sapoçelura shqiptare. Jeta relativisht e panjohur mirë e kësaj patrioteje të guximshme meriton më shumë hulumtim.

–Dana Stucky

This article is taken with permission from Dana Stucky’s preface to the 2014 e-book reprint of Paraskevi Kyrias’ booklet “The Kortcha Girls School,” originally published ca. 1913 in Chicago by the Woman’s Board of Missions of the Interior. Translated into Albanian by Iva Gjoni.