Në këtë shkrim kemi rishkruar duke bashkuar dy artikujt e parë të botuar në 15 janar 1917, në numrin e parë të “Yllit të mëngjesit”, përkatësisht me titullin “Fleta e editorit” dhe “Vlera politike e arsimit”. “Yll’ i mëngjesit” ishte periodiku i përdymuajshëm që botoi gjatë kohës që qëndroi në Amerikë Parashqevi Qiriazi, nga viti 1917 deri në vitin 1920. Parashqevia ishte botuesi, menaxheri dhe pronari i periodikut. Ky periodik i ishte “kushtuar ndriçimit dhe lartësimit të popullit shqiptar” (Në faqen e parë të tij shkruhet në anglisht: “Albanian fortnightly review, dedicated to the enlightment and uplift of the Albanian people”). Vitin e parë ai doli rregullisht dy herë në muaj, me 32 faqe, nga mesi i vitit të dytë filloi të dilte një herë në muaj, ndërsa vitin e tretë numrat u bënë edhe më të rrallë. Kështu p.sh. midis numrit 8 dhe 9 të volumit të tretë ka një hapësirë prej 9 muajsh. Përgjatë kësaj periudhe Parashqevia ishte delegate në Konferencën e Paqes në Paris. Revista doli në tri vite, u botuan 36 numra, në 3 volume. “Ylli” nuk u botua më kur Parashqevia u kthye në Shqipëri. Numri i fundit është i shtatorit të vitit 1920. Në këto dy artikuj këtu mund të lexojmë karakterin vizionar që Parashqevia kishte për arsimin para 100 vjetësh, edukimin arsimor të një kombi, që përfshinte një arsim për të gjithë njerëzit, një arsim jo vetëm shkollor, por për të gjithë jetën, i vetmi në gjendje të ndryshonte vetëdijen dhe karakterin e një kombi, garancia e vetme për zhvillim e përparim kombëtar. Gjithaq mund të shijojmë shqipen e bukur, të drejtpërdrejtë dhe të figurshme të Parashqevisë.

* Në kllapa katrore kemi shënuar përgjegjësen e fjalës në shqipen e sotme, për ta ndihmuar lexuesin për një kuptim më të qartë të mendimeve të Parashqevisë.

prof.as.dr. Teuta Toska


Me gëzim nisim të botojmë këtë të përkohëshme qëllimi i së cilës është të ndritonjë dhe të naltësonjë kombin shqipëtar. Jemi të bindur se mbushim një vënt të zbrazët edhe jemi të siguruarë se dyke botuarë këtë të përkohëshme i sjellim dobi kombit. Këjo e përkohëshme nuku do të merret kurrë me polemike vehtiake.“Ylli i mëngjesit” u dërgohet pa të holla të gjithë studentëvet, përandaj këta janë të lutur të na dërgojnë emërat edhe drejtimin e tyre.

Aërsimi është një shok, të cilin asnjë fatkeqësi nuku mund ta mposhtnjë, as një gjaksi nuku mund ta prishnjë, asnjë armik nuku mund ta ndanjë, asnjë despotizmë nuku mund ta skllavosnjë. Arësimi në shtëpi është një mik; lark shtëpisë një dorëzim; në shkretëti një ngushëllim; në shoqëri një stoli. Pa arësim, ç’është njeriu? Një rob [skllav] me të cilin i zoti mund të lozë si të dojë.

Pas lirisë edhe drejtësisë, vjen arsimi popullor, pa të cilin as drëjtësia as lirija nuku mundin të qëndrojnë për gjithënjë. Arësimi e mbron lirinë më mirë sesa një ushtëri.

Gjuha na tregon njerinë. Folë që të të njoh. Gjuha mburon nga më të thellat mburime të vetes tonë. Dhurëtija e gjuhës na është dhënë që të thomi njeri tjatrit sende të pëlqyera.

Arësimi i sosur për të kontrolluar vullnetin quhet karakter. Çdo njeri është arkitekti i karakterit të vehtes tij.

Të gjithë njerëzit e padrejtë, të gjithë qeveritarët e vrazhët, të gjithë grabitësit e kanunizuar, të gjithë bosrit që dëshërojnë skllavërinë, të gjithë lajkëtarët e punëtorëvet, të gjithë ata q’u pëlqen t’i koklavitin gjërat, të gjithë ata që dëshërojnë ta bëjnë të bardhën të zezë, të gjithë frikamenët, të gjithë plutokratët edhe aristokratët, të gjithë këta tmerohen nga këto sende: lirija e mbledhjevet, lirija e foljes [shprehjes] edhe lirija e shtypit. Përse vallë?

“E vërteta është e siguruarë përgjithnjë. As gjëkafshë tjatër përveç së vërtetës nuk ka siguri. Ay që ndalon të vërtetën të dalë në shesh, për shkake vatiake është ose frikaman ose kriminal; ose edhe frikaman edhe kriminal.”

Asnjë shtrëmbëri nuku munt të ketë jetë të gjatë, ndë qoftë se të gjithë bisedojnë [flasin hapur] mbi të. Tiranija është e siguruarë vetëm sa kohë mbështetet mbi paditje. Lajka është e para, burgu edhe pushka janë të fundit masa të qeveritarëvet autokratë.

Drejtësia qetëson. Drejtësia shëron plagët edhe dhëmbjet e popullit. Drejtësia mposht çdo grabitje të panomëshme [të paligjshme] ose të nomëshme. Drejtësia qetëson; padrejtësia thumbon, djek, mais, vret miqësinë edhe krijon luftë. [këtu vijon një poezi me titull “Arsimi”, ku bashkohen disa nga mendimet e përmendura më lart]

Kur flas për kohën e shtrenjtë që ka humbur e mjera Shqipëri, dyke qenë kaq vjete në robëri, nuk flas për një gjë të re: thom një të vërtetë të cilën s’ka shqiptarë të mos e dijë. Këjo robëri mbante atdhenë tonë të mbuluarë me roben e padijes, me roben e errësirës. Këtu-këtje, nga një shkollë e huaj themeluar për të shtrënguar kombin shqiptar të mësonjë një gjuhë të huaj, për të shtrënguarë kombin e mjerë të humbasë ndjenjat kombëtare edhe në vënt të tyre të mbjellë ndjenja të huaja.

Me sa dhembje të madhe e shkojmë nëpër mënt faktin se të rinjtë të Shqipërisë kanë qenë në nevojë të venë të arësohen në vende të huaja. Çfarë rrezik të math pa e mjera Shqipëri nga këto gjë! Përandaj qan dyke thënë:

“Bijt’e mij dhe bijat,

S’më duan më; as kanë mall;

Gjithkush kërkon të tijatë,

Më lan’ e vdes ndë këtë hall.”

 

“O Perëndi, as më dëgjo,

Të ardhtë keq e më kujto,

Për vehte gjë unë s’kërkonj

Po djemt’ e mi dua të msonj.”

Në vjetët e fundit është provuarë këjo më tepër se kudo, edhe dyke qenë kjo gjë e ditur nga të gjithë, do të mos zgjatem në këtë pikë. Po, dyke patur këtë pasqyrë përpara, dyke patur fatin e keq të ngjirojmë [shijojmë] nga pemët [frytet] që na ka sjellë arësimi i huaj në Shqipëri, ç’lipset të bëjmë që të sigurojmë të pritmen [ardhmen] e atdheut? Ç’lipset të bëjmë që të kemi njerëz të zotrit për t’u besuarë punërat me rëndësi, të mbajnë një qeveri thjesht shqiptare? Na lipset arësim në gjuhën amtare; sepse arësimi është mbrojtja e hekurt kundra çdo propagande të huajë. Pra le të mos kursejmë asgjëkafshë për të ngritur popullin lart e më lart. Arësimi do t’i hapnjë sytë popullit të njohë punërat e udhëheqësve të tij. Arësimi do të na ndihmonjë edhe do të na tregonjë qysh të kërkojmë edhe qysh të qëndrojmë për të drejtat tona. Arësimi i zbulon njeriut detyrat morale që ka për atdhenë dhe njerëzinë. Arsimi do të ngrerë edhe do të verë më një shkallë të varfërin me të pasurin; fshatarin me qytetarin. Shëmbëlla të këtilla kemi plot në histori. Udhëheqës edhe shkrimtarë të shënuar kanë dalë nga kalibet ku nuku ishte ëndëruar fjala arësim. Atëherë ç’presim? A do të gjejmë fjalë më të mirë sesa fjala SOT? Sot është koha të organizojmë një arësim të përgjithshëmë në mes të popullit shqiptar, e vetëma mënyrë për të mbledhur dhjalërinë në një rreth nënë influencën kombëtare.

Po thomi se arësimi do të na sjellë shpëtim. Le të hyjmë tashi pak në etimollogjinë e fjalës e të shohim çdo me thënë fjala “arësim”. Arësimi na thonë shkrimtarët e shënuar është një çvillim, të çvilluarit e fuqivet mëndjes, të të holluarit e mëndjes dyke mësuarë.

Fjala “arësim” ndron nga fjala “mësim”. Mësim është vetëm të mbledhurit e fakteve edhe të idhevet të të tjerëvet; është të mbushurit e mëndjes me diturinë e gjëravet të ndryshme. Kështu që mësimi është vetëm një pjesë e arsimit, është pjesa e jashtësme.

Arësimi përket njerinë përgjithërisht – trupin, mendjen dhe zemrën. Mens sana in corpore sano, mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Qëllimi i arsimit është ta bënjë njerinë, njeri të mbaruarë [të përsosur], njeri me karakter të qëndruarshmë.

Po ndë u mentofshim pak, ç’është kjo botë përveç se një shkollë e madhe? Ç’janë punërat ose detyrat tona përveç se mësime? Po këto mësime lipsen drejtuar kështu që të munt të bëhemi të urtë, të drejtë, të fuqishmë, plot me mirëvehtja [virtyte].

Diturija na thotë se në çdo gjë që ka jetë, është fshehur një fuqi, e cila me kohë zbulonet edhe vihet në punë pas nomevet të naturës. Këjo vërtetonet me çdo gjë që ka jetë. Një lende bie në dhet, rritet e bëhet një dru dushku i fortë. Më të voglat fara, rriten e bëhen drurë të mëdhenj. Këjo vërtetohet edhe me të gjitha kafshëtë; gjithë kështu edhe me njerinë. Foshnja lindet e pafuqishme, pa dituri, po dyke u rritur mbledh dituri dhe çvjellon fuqitë që i janë dhënë prej natyrës, edhe po të udhëhiqet më një udhë të drejtë, atëherë pa dyshim do të harrinjë më një shkallë që e bën të jetë me të vërtet njeri.

Njeriu i arësuar ka për themel parime të mira, të lartra, të nderçme. Këto parime [do] ta mësojnë të vepëronjë drejtërisht, sepse e ka për detyrë të bënjë ç’është e drejtë, vetëm sepse ndjen se është e drejtë, i shtytur nga një zembër e kthjellëtë edhe e qeruarë.