Më 24 nëntor 2023, nga Shkupi doli një artikull me titull “Konfirmohet ortodoksia shqiptare e familjes Qiriazi përmes dokumenteve të Rozi Dakos”. Artikulli doli vetëm disa ditë pas hapjes së një konference shkencore në Manastir për “ndikimin e familjes Qiriazi”, por te posteri i konferencës (shih foto) paraqiten 3 Qiriazët + Fan Noli (!), duke zbuluar se organizatorët as nuk dinin të dallojnë Gjergj Qiriazin nga Fan Noli.

Do të prisnim artikuj dhe kryeartikuj të tillë nga gazeta të rëndomta fitimprurëse, por jo nga një institucion shtetëror shkencor, si Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve — Shkup, me të cilin ISSHP ka pasur bashkëpunim që prej vitit 2015 (me marrëveshje zyrtare bashkëpunimi që prej vitit 2019), dhe me të cilin kemi bashkëbotuar shtatë libra, përfshirë librin “Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908”.

ITSHKSH dhe drejtori i tij Skender Asani kanë qenë, deri dje, ndër promovuesit më të hapur të përkatësisë protestante të Gjerasim Qiriazit, Gjergj Qiriazit, motrave Qiriazi dhe Kristo Dakos.

Por me një postim të nxituar, ITSHKSH “konfirmon” që gjithë këta njerëz paskan gabuar apo gënjyer: Fan Noli, Faik Konica, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Kristo Negovani, Jani Vreto, Henry Brailsford, John George Alexander Leishman, Edith Durham, Lewis Bond, John Baird, Ellen Stone, J.F. Clarke, Giovanni Ciulli, Mary Matthews, Evanka Akrabova, Pietro Marubi, W.W. Peet, Gus Lepsesty, Athena Michaelides, Henry House, Ellen Stone, Luka A. Mircheff, Violet Kennedy, Edith Metcalf, Hester Jenkins, Nënkonsulli Britanik Howard Shipley, Alexander Thomson, Qeveria Osmane, Shoqëria Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja, Bordi Amerikan i Misioneve, Kisha Protestante Kongregacionale Jamestown Nju-Jork, Bordi i Gruas i Misioneve, Xhevat Lloshi, Robert Elsie, Edwin Jacques, Nathalie Clayer, G.M. Bajraktaris, Stavri Skendo, David Hosaflook, Femi Cakolli, Ylli Doçi, Nevila Pahumi, Bexhet Asani, Dana Stucky, Ledio Hala, Teuta Toska, John Quanrud, Persida Asllani, Viktoria Dako, Gilbert Kyrias, Agesil Qiriazi, Carol Kyrias etj., si dhe vetë drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani.

Si na doli ky “konfirmim”? Mbi ç’bazë shkencore paska vendosur ITSHKSH-ja të hedhë poshtë institucionalisht qindra burime të dorës së parë, që janë botuar me shumicë? Mbi ç’bazë shkencore guxon ITSHKSH të ndërhyjë në figurat themeltare të Kishës Ungjillore Shqiptare?

—Sepse në zyrë të ITSHKSH-së vjen një njeri me disa fotokopje nga gjendja civile e Kamzës, ku shkruhet diçka për përkatësinë ortodokse të motrave Qiriazi.

Prandaj pyesim si bëhet shkencë në ITSHKSH Shkup? Sepse asnjë institucion që i thotë vetes “shkencor” nuk i ndryshon tezat e veta prej një dëshmie. E nuk bëhet publik një ndryshim i tillë 180-gradësh, për një temë kaq të rëndësishme, me një postim të nxituar interneti, pa asnjë debat kolegjial me historianët e specializuar për temën në fjalë. Ndryshime kaq të mëdha bëhen me botime kritike, që merren me burimet një nga një, siç kemi bërë ne me këtë dokument 85-faqesh: “A ishin protestantë vëllezërit dhe motrat Qiriazi, Kristo Dako dhe Shkolla e Vashave e Korçës? Përgjigje ndaj rishfaqjes së një narrative të erës komuniste“).