Ky punim është një studim përqasës dhe një përpjekje e qëllimshme për të vënë në krah të njëra-tjetrës dy shkolla të njohura të sistemit arsimor shqiptar, por dhe dy realitete kulturore me ndikim të madh e të gjerë. Kjo përqasje dhe vënie përballë njëra-tjetrës i përgjigjet një dëshire për ta risjellë dhe një herë në dritën e interesit shkencor e kulturor një ngjarje arsimore që nuk rrezatoi aq gjerë sa Normalja e Elbasanit, por me siguri rrezatoi gjatë. Duke e vënë në krah të Normales, këtë monument historik të interesave gjithëkohore, institucion cilësor arsimor në koherencë me zhvillimet kulturore dhe shkencore të kohës, Shkolla e Vashave rimerr vëmendjen që i takon, për të zbuluar meritat, vlerat dhe kontributet që solli kjo shkollë, e cila në kontekstin e realitetit arsimor botëror të asaj kohe ishte veçse një regëtimë, por në kontekstin shqiptar ishte një zjarr që, për vite me radhë, ndezi e mbajti gjallë një lëvizje për zgjim e arsim kombëtar.

Tetëmbëdhjete vjet para hapjes së Normales institucioni tjetër arsimor, Shkolla e Vashave në Korçë, më vonë instituti femëror “Kyrias”, kishte nisur udhën e vet në realitetin e vështirë historik të Shqipërisë, udhë që do të vazhdohej për 42 vjet. Ishin këto dy realitete arsimore, Normalja dhe Shkolla e Vashave, që patën një ndikim të madh në kulturën shqiptare në përgjithësi, por, në veçanti, edhe në fushën e mësimdhënies në gjuhën amtare, duke sjellë kontribute fillestare, themelvënëse dhe madhore në lidhje me problemet teorike dhe praktike që lidheshin me këtë fushë.

Të gjithë studiuesit e konsiderojnë si të shkëputur veprimtarinë për përhapjen e ungjillit (dhe për llogari të Shoqërisë Biblike) të Gjerasimit e të të tjerëve nga veprimtaria për përhapjen e arsimit në gjuhën amtare. Termat gjuhësore si “megjithëse”, “ndonëse” shoqërojnë lidhjen mes veprimtarisë ungjillore dhe patriotike në studimet e shumta për këto figura. Mirëpo, sikundër duket dhe nga fjalët e Aleksandër Tomsonit, kryepërfaqësuesit të Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj në Perandorinë Osmane gjatë viteve 1860-1896, në letrën e datës 27 janar 1883, ku ai e fton Gjerasimin të shërbente si ungjilltar i kombit, botëkuptimi shpirtëror ungjillor dhe patriotik ishin pjesë të një gjëje. Tomsoni shkruan: “Kur mendoj për gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët, më duket se për ta është domosdoshmëri e madhe të kenë shkolla, ku fëmijët të mësojnë gjuhën amtare me Fjalën e Perëndisë dhe ku ne t’u predikojmë atyre Shpëtimtarin Jezu, mikun e mëkatarëve[1].

Shkolla e Vashave kishte një frymë të re dhe perëndimore. Programi i saj shkollor, në vija të përgjithshme, ishte i ngjashëm me Mësonjëtoren e Parë[2], por që dallohej dhe për risitë lëndore dhe metodologjike perëndimore, që lidheshin me formimin e Sevastisë. Mësimi i gjuhëve perëndimore, siç ishte anglishtja, solli reagimin e drejtuesve të kishës ortodokse në qytet. Për shkak të besimit dhe veprimtarisë shpërndarëse të ungjillit që ushtronte Gjerasimi e të tjerët, për shkak të shkollimit të Qiriazëve nëpër kolegje teologjike, argumentet kundërfetare nuk munguan të përdoreshin për të mbështjellë me shpifje përpjekjen kombëtare të Qiriazëve. Kisha ortodokse e asaj kohe as mund ta imagjinonte se mund të ekzistonte një lidhje e brendshme midis besimit të Qiriazëve dhe nevojës që ata kuptuan për zgjim kombëtar, midis konstitucionit të tyre shpirtëror dhe zellit për të qenë në ballë të betejës për ndriçimin shpirtëror të vendit të cilit i përkisnin. Për shkak të besimit dhe të formimit të tyre shpirtëror ata u ngritën mbi çdo dasi fetare, madje e luftuan këtë si mjet të errët përçarjeje të armiqve të popullit shqiptar.

Shkolla e Vashave ishte shkolla që duroi mbi vete gjithë luftën që iu desh të përballonte shkollës shqiptare për të mbijetuar, për t’u bërë ballë sulmeve dhe për të qenë vatër e zgjimit kombëtar. Ajo pati fatin e madh të ishte një shkollë e vogël, e drejtuar nga “një grua e vogël”[3], që luajti një histori të madhe, duke pritur gjithë furinë e sulmeve të errësirës dhe të shtrëngesës së betejës përfundimtare. Ajo e pararendi Normalen në misionin e saj të përgatitjes së mësuesve, duke u drejtuar jo nga dëshira dhe nxitja e një populli të tërë, siç u drejtua Normalja, por nga dëshira dhe nxitja e njerëzve vizionarë, që në kohët e vështira dalluan atë për të cilën kombi kishte me të vërtetë nevojë. Shkolla e Vashave pati meritën se përgatiti rrugën e Normales, shtroi standardet për arsim kombëtar, u bë terreni i provës dhe garancisë për sukses politik, arsimor dhe profesionale të mëvonshëm të Normales.

Përqasja mes këtyre dy shkollave është përqasje vlerash historike, kulturore e shpirtërore dhe na sjell edhe një herë përpara vetes dy realitete të njëjta për nga pesha në historinë e kulturës shqiptare, por të ndryshme nga pikëpamja e përmasave kombëtare dhe prurjes shkencore. Pavarësisht nga ndryshimi, shkollat spikasin për kahet e njëjta për shkak të kohës kur jetuan: përgatitja e mësuesve ishte pikësynimi real dhe formësues i strukturës dhe programit të Normales, kurse për Shkollën e Vashave ishte pikësynim ideal dhe i mundshëm, që po koha dhe nevoja e bëri realitet.

–Teuta Toska

 

Bibliografi

Dishnica, Dhimitër. Motrat Qiriazi. Shtëpia botuese “Enciklopedike”, Tiranë, 1997.

Elbasani-Enciklopedi, “Sejko”, Elbasan, 2003.

Kuanrud, Xhon. Besë, shpresë dhe dashuri, jeta e Gjerasim Qiriazit. “Kartë e pendë”, Tiranë, 1998.

Myzyri, Hysni. Shkolla Normale e Elbasanit. AlbPAPER, Tiranë, 2004.

Myzyri, Hysni. Shkollat e para kombëtare shqipe. Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1978.

“Normalja në traditë”, Elbasan, 1995.

Qiriazi, Gjerasim. Kristomaci. Illirycum, Zagreb, 1991.

Shashaj, Ali. Shkolla Normale e Elbasanit, baza e arsimit fillor kombëtar. Sejko, Elbasan, 2000.

 

Shënime

[1] Xhon Kuanrud, Besë, shpresë dhe dashuri, vepër e cituar, f.60.

[2] Shih H.Myzyri, Shkollat e para…, vepër e cituar, f.207-211.

[3] Dh.Dishnica, f.51.