scroll down for original English
Pjesë nga letra e Robert Pinkertonit, lidhur me një Dhiatë të Re shqipe, shkruar më 25 tetor 1819, Kostantinopojë
“Gjatë vizitës sime të shkurtër në këtë qytet njëra punë e rëndësishme më zuri tjetrën saqë më është dashur të punoja pothuaj ditë e natë, me qëllim që të ndiqja me qetësi dhe me sy të paanshëm çështjet e ndryshme, të cilat më janë paraqitur paraqitur për t’i shqyrtuar. Midis tyre këto dy janë ndër jo më pak të rëndësishmet: e konkretisht, e para – një përkthim i Dhiatës së Re në gjuhën shqipe më është lidhur në zemër në këta disa vjet të shkuar aq fort, sa me të vërtetë nuk mund të shpëtoja prej tij. Ndonëse në Korfuz filloi të hapej perspektiva dhe gjithë shpresat e realizimit po gjenin përshëndetje, përsëri nuk u bë asgjë vendimtare. M’u desh në fillim të vizitoja Athinën, të njihesha me shtrirjen e madhe të popullsisë shqiptare, të vuaja prej trajnimit shumë të keq, madje të egër, nga shqiptarët e Parosit, që ta kuptoja thellë rëndësinë e kësaj pune dhe nevojën e madhe që është për të mos humbur kohë në fillimin e saj, për hir të fiseve të shumta të shqiptarëve, të cilët janë përhapur anë e kënd krahinave të lashta të Ilirisë, Epirit, Maqedonisë e Greqisë. Tashti kam gjetur njeriun, i cili, shpresoj, është paracaktuar t’u dhurojë bekimin e madh vëllezëerve të vet, duke u dhënë Dhiatën e Re në gjuhën e tyre. Emri i tij është Vagjel Meksikoi. Atë ma kanë rekomanduar fort disa prej krerëve më të lartë të bashkësisë fetare greke këtu, si një njeri me cilësi të shquara për këtë punë. Ai tashmë ka shkruar një gramatikë në gjuhën e vet, të cilën ma tregoi. Atë e njeh mirë patriarku grek i Stambollit, i cili gjithashtu e ka miratuar fort këtë ndërmarrje dhe premtoi të gjente një ose dy ekleziastë të ushtruar mirë në gjuhën shqipe, me qëllim që ta ndihmojë dr. Meksikoin në përpjekjet e tij, dhe ta bëjnë versionin sa më të përkryer, përpara se të shkojë në shtyp. Ne propozojmë ta shtypim bashkë me tekstin e përkthimit të Hilarionit në shtylla paralele. Kjo do ta bëjë më të dobishëm në fillim, sepse ka një numër shqiptarësh që e njohin por jo mirë greqishten e re, ashtu si edhe grekësh, që e kuptojnë por jo mirë shqipën. Këta do të mësojnë të lexojnë dhe të kuptojnë të vërtetat e sakta të Ungjillit, kur t’u paraqitetnë të dy gjuhët, më lehtë sesa po t’u jepet në secilën gjuhë veçan. Ai tashmë ka përkthyer kreun e 5-të të Mateut dhe kreun e parë të Ungjillit të Shën Joanit, dhe më paraqiti një kopje të tyre si frytet e para të kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme.”
Nga Annual Report of the British and Foreign Bible Society, raporti i 16-të, f. 22-23. Përkthyer nga Prof. Dr. Xhevat Lloshi në librin Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit: 1819-1827 (Tirana: Onufri, 2012), f. 161-162. Përdorur këtu me lejën e përkthyesit.
Extract of Robert Pinkerton’s Letter, Concerning the Albanian New Testament, Written on 25 October 1819 from Constantinople

