Po ju shkruaj këto radhë të nxituara për t’ju siguruar
se çështja e botimit toskërisht e greqisht të Proverbave,
që jua kam propozuar, është pikërisht ashtu siç thoni ju:
një mjet për t’i shtyrë shqiptarët që të lexojnë në gjuhën amtare
dhe një ndihmë e vlefshme për të përvetësuar gjuhën
–A.Thomson, 1879[1]
Ky vështrim dhe hulumtim në historinë e viteve 1860 deri 1894, që ishin vitet e shërbimit të Tomsonit – edhe ndër shqiptarët – përfshin më së pari një vështrim vlerësues, që lidhet jo vetëm me historikun e përkthimit të Biblës – një histori në dukje e veçuar dhe me interes periferik për kulturën dhe historinë – por, më gjerë: kjo periudhë vitesh është e qenësishme për kontributin e vet në historinë e librit dhe të librave në kulturën shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e shkrimit të historisë së kulturës së një kombi është edhe historia e librit të tij, si pjesë e qenësishme jo vetëm e regjistrimit dhe e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por deri edhe pjesë e rëndësishme e vetë identitetit kulturor kombëtar. Shkrimi i historisë së librit ndër shqiptarët është një faqe që ende sot mungon në historiografinë shqiptare për shkaqe të ndryshme. Në buzë të përpjekjeve për shkrimin e regjistrimin e kësaj historie, jo vetëm thirrje e kohës, por tashmë edhe detyrë shkencore, kontributi i Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (ShBBV) për librin shqip është një ndër pjesët më të qenësishme të kësaj historie. Të mos e dokumentosh këtë kontribut, do të thotë të krijosh një zbrazëti historiografike për gati një shekull ngjarjesh e faktesh shkencore. Veçanërisht periudha që përfshin kontributin e Aleksandër Tomsonit është faqja më e rëndësishme e kësaj historie, kur libri dhe historia e tij dolën nga periudha e errësirës, e ndërdymjes për ekzistencë, e primitivizmit, izolimit, dhe iu shfaqën hulumtimit historiografik e shkencor.
Kur A.Tomsoni nisi shërbimin e vet, shqipja nuk ishte një gjuhë e shkruar. Vetë Kristoforidhi shkruan te “Shënime mbi Shqipërinë: Gjuha dhe përkthimi i Shkrimeve të Shenjta” se: “Shqipja është një gjuhë e folur dhe jo e shkruar. Njerëzit nuk kanë libra, as nuk e mendojnë që gjuha e tyre mund të shkruhet si e vendeve të tjera e të përdoret midis tyre dhe në shkollat e tyre”[2], diku tjetër tha se “përkthimi ynë… do të jetë i pari libër, i cili do të përdorë këtë arsim të veçantë të shumë mijëra të rinjve shqiptarë gegë”[3]. Edhe A.Tomsoni e shpreh këtë realitet: “U kthyem në jug dhe kaluam në për Raguzë … dhe arritëm në Shqipëri, një vend në të cilin populli deri më sot shquhet për të mos ia pasur zili se nuk ka asnjë literaturë në gjuhën amtare. Me sa duket, kjo vjen nga rrethana që gjuha e tyre e lashtë nuk ka pasur rëndësi përtej kombësisë së tyre…” (Dok.61, 1869, por dhe Dok.35, 1866).
Kur Tomsoni e mbylli këtë shërbim tashmë në gjuhën shqipe kontributi i ShBBV-së dhe i Shoqërisë Angleze të Broshurave Fetare kishte sjellë ndër shqiptarët më shumë se 20 tituj botimesh[4], të botuar në një numër ekzemplarësh të zakonshëm për sasinë e të këtillëve gjetkë nëpër Evropë në raport me sasinë e grupit të lexuesve të cilëve u shkonte libri[5]. A.Stipçeviç shkruan: “Rrjedhojat që shkaktuan sasitë shumë të mëdha të librave të shtypur [bëhet fjalë për historinë botërore të librit në shekujt XV dhe XVI, shënimi im, T.T.] në sferën e shkencës dhe të kulturës ishin të shumëfishta dhe afatgjata dhe vështirë se mund të identifikohen e analizohen në të gjitha hollësitë. Mjafton të themi se libri i shtypur ndikoi esencialisht në përhapjen e shkrimit, veçanërisht në popullsinë e qyteteve, në afirmimin e gjuhës popullore si gjuhë të letërsisë e të shkencës.[6]” Tomsoni shkruan duke përmbledhur kontributin që ShBBV-ja kishte sjellë ndër shqiptarët: “Anëtarët e këtij komiteti shprehin falënderimet për Shoqërinë, e cila ka paraprirë dhe u ka dhënë dijet më të mira njerëzve në gjuhën amtare…”[7]. Studiuesi Xh.Lloshi do ta quajë këtë periudhë kohën kur u hodhën “themelet mbi të cilat u ngrit kultura kombëtare shqiptare”[8].
Përballë gjithë kësaj përpjekjeje madhore me ndikim mbarëkombëtar historiografia shqiptare hesht: dispensat universitare dhe manualet e Bibliotekës Kombëtare për historinë e librit shqip nuk përmbajnë asnjë rresht për këtë kontribut, historitë e letërsisë dhe të shkrimit shqip nuk shkojnë më tej përmendjes së ShBBV-së dhe sigurisht asfare të Tomsonit. Kontributi i Kristoforidhit shfaqet i copëtuar dhe i njëanshëm. Më fort se nxjerrja në dritë e fakteve (që me kohë janë zbuluar në numër të konsiderueshëm), koha kërkon vlerësimin e tyre, vendosjen e tyre në kontekstin e duhur dhe lidhjen e tyre me të tërën, të historisë së librit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
–Teuta Toska
Bibliografi
Aleksandër Stipçeviq, Histori e librit, Botimet “TOENA”, Tiranë, 2000.
K.Kristoforidhi, Shkrime dhe përkthime, Vëllimi 4, “Bibla në gegërisht: Kriesa, Të dalëtë. 1872”, përgatitur nga Xh.Lloshi, Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, Tiranë, 2009
Kujtim Bevapi, Hyrje në bibliotekonomi, Elbasan, 2007
Vilma Tafani, Shqipëria dhe Elbasani në syrin e udhëtarëve të huaj, Elbasan, 2003
Xh.Lloshi, Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup, 2008
Xhevat Lloshi, “Kristoforidhi përmes dokumentimit”, Bota Shqiptare, Tiranë, 2005
Shënime
[1] Xhevat Lloshi, Kristoforidhi përmes dokumentimit, Bota Shqiptare, Tiranë, 2005, f.337, Dok.121.
[2] Po ai, f.225, Dok.2.
[3] Po ai, f.221.
[4] Po ai, Dok.155: Kristoforidhi i shkruan Nikolla Naços “…edhe kam njëzet viet që po shkruanj gjithënjë gjuhën e shqipesë edhe kam shtypurë përmbi njëzet copë vivlia shqip gegërisht e toskërisht...”
[5] Po ai, Dok.66, f.291, A.Tomsoni për Komitetin e Botimeve në Londër, Stamboll, 24 gusht 1870: “Unë nuk kam më dyshim duke iu dërguar llogaritjen e përafërt për botimet e reja të Dhiatës e të Psalmeve. Ende mendoj se është më mirë të kufizohemi me shtypjen e 3000 kopjeve për secilën, derisa të jemi në gjendje të themi që sistemi ynë i ortografisë është ngulitur mirë, por me më pas se 3000 mendoj se nuk mund të bëhet një provë e mirë në mes të një populli prej 3 milionë e gjysmë vetash.”
[6] A.Stipçeviç, vepër e cituar, f.242
[7] Xhevat Lloshi, Rreth alfabetit të shqipes, Logos-A, Shkup, 2008, f.36.
[8] Xhevat Lloshi, Kristoforidhi përmes dokumentimit, vepër e cituar, f.11.