
Më 1908 Parashqevia ishte e deleguara e Shkollës së Vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit, ku ajo u caktua sekretare e njëmbëdhjetë burrave të respektueshëm, që do të zgjidhnin problemin e alfabetit shqip. Paskëtaj, ajo shkroi në vitin 1909 Abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar. Ajo është e njohur, së bashku me motrën e saj, për emancipimin e grave shqiptare dhe për rolin e saj kryesor në themelimin e shoqatës së parë të grave “Yll’ i Mëngjesit”, më 1912 në qytetin e Korçës. Në vitin 1913 ajo përfundoi masterin për edukim në Kolegjin Oberlin në Ohio. Në tezën e masterit ajo hartoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar.
Pas luftërave ballkanike dhe në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ajo iku për të shpëtuar jetën e saj (si shumë të tjerë) në Bukuresht më 1914 dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara më 1915. Në Boston, ku u vendos, ia kushtoi jetën çështjes së çlirimit të vendit të saj dhe emancipimit të grave, duke themeluar dhe botuar revistën shqiptaro-amerikane Yll’ i mëngjesit, që doli nga 1917 deri më 1920. Më 1919 ajo lundroi për në Paris si e vetmja grua diplomate shqiptare në Konferencën e Paqes, ku përfaqëson Partinë Kombëtare Shqiptare në Amerikë. Me gjithë fushatat e fuqishme për ta ndarë Shqipërinë mes vendeve fqinje, konferenca përgjithësisht miratoi kufijtë shqiptarë, siç ishin caktuar në vitin 1913 në Konferencën e Paqes në Londër.
Në fillim të viteve 1920, Parashqevia kthehet në atdhe me kunatin dhe motrën, Kristo dhe Sevasti Qiriazi-Dakon, në mënyrë që të vazhdonte të punonte për edukimin e vajzave shqiptare. Instituti Qiriazi (Kyrias) për Vajza, që sapo ishte hapur afër Tiranës, do të nxirrte mësuese që ishin të domosdoshme për shumë shkolla të sapoçelura shqiptare. Jeta relativisht e panjohur mirë e kësaj patrioteje të guximshme meriton më shumë hulumtim.
–Dana Stucky