Fondi “Edvin Xhejks”

Screen Shot 2016-05-19 at 7.27.31 AMISShP ka kënaqësinë t’ju njoftojë për marrjen në dorëzim të Fondit “Edvin Xhejks” për Shqipërinë. Ai përmban Bibla, libra, revista shkencore, revista të tjera, fotografi, kartolina, regjistrime me audio dhe video, korrespondenca, letra lutjeje, raporte misioni, fletushka, broshura, buletine dhe artikuj të ndryshëm. Edvin E. Xhejks ishte misionar baptist. Bashkë me të shoqen, Doroti, shërbeu në Shqipëri mes viteve 1932-1940. Gjithë jetën e vet ia kushtoi studimit të popullit shqiptar, madje shkroi një histori të njohur me titull “Shqiptarët: një histori etnike, nga prehistoria deri në kohët e sotme” (1995).

Pas vdekjes së Edvin dhe Doroti Xhejks, Lerri dhe Dana Stëki, misionarë në Shqipëri, komunikuan me fëmijët e Xhekjsve për materialet shqiptare që kishin lënë ata. Më 24 prill 1998, Edvin M. Xhejks shkroi një letër në emër të vëllait të vet, Dan Xhejks, dhe të së motrës, Gloria Xhejks Saidenberg. Ai vuri në dukje se fondin (nëntë kuti me materiale) po ia dërgonin Seminarit Baptist Konservator të Denverit (tani “Seminari i Denverit”) për të hapur një Qendër Arkivore Shqiptare. Edvin M. Xhejks shkroi: “Ne besojmë se babai do të kishte dashur që këto burime të vihen në dispozicion të studimeve të krishtera për Shqipërinë…. Lutjet tona do të jenë me ju teksa do të administroni materialet e babait tonë për vendin e shqiponjës dykrenore, të cilin ai e donte pa masë”. Lerri dhe Dana Staki, dhe më vonë David Hosaflook, i organizuan dhe i ruajtën këto materiale në bashkëpunim me personelin e bibliotekës së Seminarit të Denverit. Më 2014, ISShP filloi diskutimet me Seminarin e Denverit për mundësinë e transferimit të këtij fondi në Shqipëri, ku do të bëhej më i disponueshëm për studiuesit e historisë shqiptare dhe asaj protestante shqiptare. Më 16 nëntor 2015, David Hosaflook i paraqiti Seminarit të Denverit një kërkesë zyrtare për këtë transferim. Ndërkaq, Dana Staki siguroi bekimin e Gloria Xhejks Saidenberg (fëmija e fundit e Edvin E. Xhejks që jeton ende) për këtë transferim. Për këtë arsye, dekani dhe rektori i Seminarit të Denverit, Dr. Rendi MakFarland, dhe arkivistja e këtij seminari, znj. Sara Miller, miratuan transferimin e fondit.

Më 5 maj 2016, David Hosaflook, drejtori i ISShP, e mori personalisht në dorëzim këtë fond nga Seminari i Denverit dhe ia transferoi ISShP-së në Shqipëri. Tani, ky fond po përpunohet, ruhet, klasifikohet, skanohet dhe arkivohet për siguri afatgjatë dhe për dobinë e publikut shqiptar. Fatkeqësisht, përgatitja e duhur kërkon kohë dhe fonde, por jemi të kënaqur që ky proces ka nisur dhe që studiuesve shqiptarë s’do t’u duhet më të rrugëtojnë deri në Denver për t’i konsultuar këto materiale. Synimi ynë është që, më 2017, ky fond t’u vihet në dispozicion hulumtuesve.