Pyetje që bëhen shpesh
A studioni vetëm lëvizjen protestante SHQIPTARE?
Jo. Është e pamundur që lëvizja protestante shqiptare të studiohet pa kuptuar lëvizjen më të gjerë protestante në Turqinë Perëndimore, Bullgari, Maqedoni, Kroaci, Greqi e më tej. ISShP po krijon bashkëpunim me individë dhe me studiues institucionesh nga këto rajone, dhe shpreson që të bashkëpunojë me ta për studime në të ardhmen.
A studioni vetëm lëvizjen PROTESTANTE shqiptare?
Jo. Veprimtaria protestante në Ballkan u shpalos në një kontekst të koklavitur dhe s’mund të kuptohet pa studiuar klimën më të gjerë politike, fetare dhe shoqërore në rajon. Prandaj, ne mirëpresim çdo studim historik që do të hedhë dritë mbi lëvizjen protestante shqiptare, qoftë dhe tërthorazi.
A pranoni donacione dokumentesh, librash, fotosh, videosh dhe suveniresh?
Po. Disa kanë filluar të na kontaktojnë për të na dhënë ose dhuruar dokumente dixhitale, libra, foto, arkiva vetjake dhe koleksione të vogla. Dëshirojmë që historinë e pasur të shqiptarëve ta ruajmë, arkivojmë dhe ekspozojmë në një mjedis të sigurt dhe frymëzues (mirëpo, për këtë do të na nevojiten financa).
Si financohet ISShP?
ISShP u formua pa asnjë lloj fondi, thjesht si ide për të bashkëpunuar për një kauzë të rëndësishme në mënyrë vullnetare. Për t’u shërbyer sa më shumë njerëzve, do të mbështetemi në dhurata financiare ose në fonde të dhuruara – të gjitha këto në përputhje me ligjet në fuqi.
Si mund t’i bëj donacion ISShP-së?
Ne po ngremë infrastrukturën për të pranuar transferta bankare, çeqe, pagesa elektronike dhe dhurata të ndryshme. Për më tepër informacione, lutemi na kontaktoni.
Si e bën të mundur ISShP ndershmërinë financiare dhe llogaridhënien?
Komiteti Ekzekutiv auditohet nga Bordi Mbikëqyrës dhe përgatit raporte financiare vjetore në përputhje me ligjet vendase. Buxheti dhe procedurat tona operuese mund të shqyrtohen pas bërjes së një kërkese.
A mund ta përdor kohën time si vullnetar për të ndihmuar ISShP-në?
Po! Për momentin, po kërkojmë:
- Transkriptues (nëse mund të lexosh anglisht dhe të shkruash në kompjuter, je i/e kualifikuar!)
- Korrektues të gjuhës angleze (s’ka nevojë të jesh ekspert gramatike!)
- Redaktorë në gjuhën shqipe
- Përkthyes anglisht-shqip.
- Dizenjatorë grafikë.
A ka lidhje politike ISShP?
Jo. Nuk kemi asnjë lidhje apo agjendë politike, as në nivelin lokal, as në atë kombëtar, rajonal, apo ndërkombëtar. Megjithatë, kjo asnjanësi nuk do të na pengojë për të formuar marrëdhënie të shëndosha me institucione qeveritare, institucione ndërkombëtare, apo studiues që perceptohen nga publiku si persona me lidhje të forta politike. Ne jemi të hapur dhe përfshirës.
A është organizatë shqiptare ISShP?
Jo. Pa dyshim që qendrën e kemi në Shqipëri, por udhëheqja jonë është shumëkombëshe, dhe vepron në katër vende të ndryshme. Ne mirëpresim partneritete nga mbarë bota.
A është organizatë fetare ISShP?
Jo. Themeluesit tanë janë besimtarë ungjillorë me interes unik për hulumtimin e historisë së tyre në kontekstin e historisë së rajonit të Ballkanit në përgjithësi, por ne jemi një shoqatë kërkimore jofetare që mirëpret anëtarë dhe këshillues nga sfonde të larmishme. Kjo edhe për shkak se qendrën e kemi në një vend të mirënjohur për atmosferën e bashkekzistencës paqësore fetare.
Pse “protestant”, dhe jo “ungjillor” apo diçka tjetër?
Thjesht sepse, për mendimin tonë, termi “protestant” është kategori më e gjerë se termi “ungjillor”, dhe ne duam të jemi sa më të gjerë të mundemi në gamën tonë kërkimore. Protestantët e hershëm ungjillorë njiheshin, edhe si protestantë, edhe si ungjillorë. Më 1892, Gjerasim Qiriazi dhe patriotë të tjerë ungjillorë themeluan një shoqëri që kishte tre synime: 1) të përhapte ungjillin në Shqipëri; 2) të botonte literaturë shqip; dhe 3) të themelonte e të drejtonte shkolla shqipe. Shoqërinë e tyre e quajtën Vëllazëria Ungjillore, jo vëllazëria “protestante”. Megjithatë, dokumentet zbulojnë se ata ishin të vetëdijshëm se ishin protestantë. Jemi të vetëdijshëm se shumë kisha ungjillore ose baptiste nuk mendojnë se i kanë rrënjët në protestantizmin në vetvete, por në lëvizjet e krishtera paraprotestante. Ne nuk themi se këto çështje historike janë thjesht lojëra fjalësh, veçse, në të njëjtën kohë, na duhej të zgjidhnim një cilësim që t’i përshtatej pozicionit tonë historik, dhe termi “protestant” na u duk si më përfshirësi dhe si zgjidhja më e dukshme për t’u identifikuar në qarqet studimore.
A miratoni gjithçka në faqen dhe blogun tuaj?
Jo. Blogu i ISShP-së mbledh në një vend artikuj me interes për historinë protestante shqiptare (ose gjithçka që ka sadopak lidhje me këtë). Historia është e mbushur me mendime të ndryshme, qoftë dhe midis historianëve të spikatur, prandaj, përmbajtja që botohet në blogun tonë nuk tregon miratim nga ISShP-ja në lidhje me pikëpamjet e saj politike, fetare, shoqërore, historike, apo të ndonjë lloji tjetër.
A mund të riprodhoj përmbajtje nga blogu juaj?
Po, nëse ia kërkoni autorit. Artikujt e postuar në faqen e ISShP-së nuk janë pronë intelektuale me të drejtë autori e ISShP-së, por e autorëve të çdo postimi. Prandaj, përpara se të bësh “copy-paste”, duhet të marrësh leje nga autori (ose autorët), përveçse kur citon pjesë të shkurtra për arsye recensioni ose eseje akademike.
Kam pyetje të tjera. Si të veproj?
Na kontakto e do të të përgjigjemi sa më parë!