Teksti i kumtesës së prof. Xhevat Lloshi, mbajtur më 20 nëntor 2016 me rastin e shënimeve të Festës së Alfabetit, 75 vjetorit të shkollave të para shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni Perëndimore, sponsorizuar nga Institutiti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup.
Shkollë shqipe do të thotë shkollë në gjuhën shqipe. Për ta ngritur këtë shkollë në fillimet e saj nevojitet të parapërgatiten atëhere të paktën këto tri anë: gjuha e shkruar, tekstet dhe mësuesit.
Po edhe vetë gjuha e shkruar nis me përcaktimin e alfabetit. Nga kjo pikëpamje, çdo përpjekje për të ndërtuar alfabetin e shqipes, duke përmendur të parin që e njohim drejtpërdrejt, Gjon Buzukun më 1555, ka qenë një hap drejt këtij synimi. Udha e shkronjave të shqipes është udha për te dera e shkollës, ku mësimet e para janë pikërisht për shkronjat, për abëcënë.
Ana e dytë janë tekstet mësimore dhe ndër ta dihet se e para është abetarja. Nuk e dimë a ka pasur ndonjë abetare përpara Naum Veqilharxhit, domethënë botimit të tij të vitit 1844, por na lejohet të hamendësojmë se në të gjitha rastet, kur përmendet mësimi i shqipes përpara tij, natyrisht që do të ketë pasur qoftë edhe një fletë me shkronjat e alfabetit, sepse abetare do të thotë fletët e abëcësë. Kurse libri i dytë që vjen pas asaj është vetvetiu gramatika. Libri i gramatikës nuk është një tekst i zakonshëm, që lexohet, për arsyen sepse ai është bërë që të mësohet dhe të përdoret drejt gjuha e shkruar, domethënë është bërë për ta përvetësuar pak nga pak gjatë një periudhe kohe dhe për t’iu rikthyer herë pas here. Zakonisht këtë punë për gjuhën amtare ne e bëjmë me një mësues. Rrjedhimisht, ai që harton një gramatikë ka parasysh jo një lexues, por një nxënës, gjë që nënkupton shkollën. Kështu, hartimi i gramatikave të shqipes është udha tjetër për te dera e shkollës.
Është e vërtetë që kemi njoftime për gramatika të para të shqipes në fillim të shek. XVIII nga autorë të huaj dhe për të huajt, madje përpara tyre i tillë ka qenë pjesërisht Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit (1635) si një tekst mësimor për latinishten dhe shqipen bashkë, por përsëri F. Da Lecce (1716) e hedh fjalën, që një vepër të tillë e presin edhe shqiptarët. Pas këtyre vijnë njoftimet e Pjetër Bogdanit (i cili kishte punuar shumë vite në anët e Kosovës), se i kishte humbur një gramatikë e ungjit të tij, Andrea Bogdanit. Për të mos shkuar më tej, edhe Vangjel Meksi në fillim të shek. XIX kishte përgatitur një gramatikë. Shkurt, gramatikat ku përfshihej shqipja natyrshëm përfshinin edhe nxënës shqiptarë. Gjithsesi, këtu vijmë te ndërlidhja me anën e tretë, domethënë me çështjen e mësuesve për shkollën shqipe.
Numri i shkollave të huaja në trevat shqiptare ka qenë jo i vogël, ndërsa në to kanë qenë mësues edhe shqiptarë, nganjëherë shumica shqiptarë. Prej këndej mund të kalojmë te pohimi, se mësuesit e shqipes janë përgatitur së pari pikërisht në shkollat në gjuhë të huaja dhe kanë punuar po në shkolla të atilla. Duke zotëruar një gjuhë të huaj të shkruar, domethënë edhe alfabetin e gramatikën e saj, ata në mënyrën më të natyrshme bënin përpjekje edhe për shqipen. Sidomos kur edhe shumica e nxënësve të shkollës ishin shqiptarë pothuaj pashmangshmërisht kalohej te shqipja. Shembulli më i qartë është shkolla e Voskopojës në shek. XVIII, në të cilën ishin mësues T. Kavalioti dhe Dh. Voskopojari, me prejardhje vllahe dhe i dyti nën trysninë e fortë të rrymës greqizuese, e megjithatë që të dy kanë përgatitur libra, në të cilët është pjesë organike shqipja, ndërsa nënkuptohet se i donin për t’i pasur në duar nxënësit shqiptarë.
Rrjedhimisht, për të gjurmuar fillimet na kërkohet të shohim gjithashtu shkollat në gjuhë të huaja në trevat shqiptare dhe të hulumtojmë sa ka qenë pjesëmarrja e nxënësve shqiptarë dhe sa kanë qenë mësues shqiptarë. Figura më bindëse në këtë vështrim është Daut Boriçi, i cili u arsimua në shkollat osmane dhe jepte mësim në të tilla shkolla, ndërsa pastaj hartoi abetaren me shkronjat e osmanishtes dhe, nuk ka dyshim, se kishte parasysh nxënës shqiptarë. Po kështu do të themi në tërësi për letërsinë orientaliste shqipe me alfabet arab. Kush do ta lexonte atë? Vetëm ata që e njihnin atë alfabet të vështirë, ndërkohë që ishin arsimuar në shkolla jo shqipe. Gjithsesi, jo pak autorë orientalistë kanë qenë mësues shkollash, si Tahir Gjakova, Tahir Popova, Jonuz Efendiu, Hilmi Maliqi, Ymer Paçarizi etj.
Ka rëndësi të tërheqim vëmendjen edhe te një aspekt më i përgjithshëm. Arsimin shqip në Maqedoni dhe në Kosovë ne e veçojmë për arsye studimore, sepse deri në ndarjen e shqiptarëve me kufij politikë nga Fuqitë e Mëdha më 1913, në vetëdijen e shqiptarëve dhe në veprimtaritë e tyre nuk ishte i pranishëm ndonjë kufi i tillë. Dëshmia më e qartë është Kongresi i Manastirit, që u mblodh me një përfaqësim gjithëshqiptar. Edhe Kongresi i Elbasanit, i cili ishte vijim i tij më pak se një vit më vonë, po këtë përfaqësim kishte. Në këtë rast kishim drejtpërdrejt një kongres për shkollat shqipe dhe njëri ndër vendimet e tij ishte çelja e Shkollës Normale, ku do të përgatiteshin mësues pa dallim nga të gjitha trevat dhe për të gjitha trevat shqiptare.
Meriton të përmendet për vështrimin e gjerë të kësaj problematike punimi i Jashar Rexhepagiqit (1) i vitit 1972, i cili shton se edhe prania e shumë shkollave në një vend, siç ishin shkollat në gjuhë të huaja në Prizren dhe pesë në Shkup, ka ndikuar që edhe shqiptarët të nxiteshin për të pasur shkollat e veta. Studentë shqiptarë kanë qenë në Universitetin e Stambollit kur ishte rektor Hasan Tahsini. Dy udhëtaret angleze, G. M. Mackenzie dhe A. P. Irby (2) nga vizita e tyre më 1861 kanë shënuar se kishte shkolla turke edhe për vajzat shqiptare në Prishtinë, Vuçiternë e Pejë. Autori serb M. S. Millojeviq (3) më 1872 ka shënuar, se bejlerë dhe të tjerë të fshatrave në rrethinën e Pejës mësojnë shqip. Pas reformave dhe ligjit të vitit 1869 numri i shkollave laike osmane u shtua mjaft. Prej vitit 1908 në Shkup u lejua që të jepej si lëndë gjuha shqipe në idadien. Nga fundi i vitit 1910 u emërua mësues i shqipes Salih Gjuka në Shkollën normale osmane të Shkupit.
Njëkohësisht me ndërhyrjen e Italisë dhe të Austrisë fillesa të shkollave shqipe janë krijuar nga veprimtarët katolikë. Me sa duket, shkolla më e vjetër prej françeskanëve ka qenë në Prizren, ku për italishten jepeshin shpjegime dhe bëheshin biseda shqip. Më pas në Prizren kanë qenë mësues të kualifikuar, si Lazër Lumezi e Mati Logoreci. Shkolla fillore e Gjakovës thuhet se e ka nisur punën që më 1851, ndërsa më vonë del ndër mësuesit edhe Ndue Bytyçi. Në shkollën e Pejës nga fundi i shek. XIX librat tashmë ishin kryesisht shqip. Të dhëna për shkollat ka edhe në librin e albanologut J. G. von Hahn prej udhëtimeve të tij në Drin e Vardar (4).
Nuk ka dyshim, se me Lidhjen e Prizrenit dhe me veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit më 1879 hapet një etapë e re, për të cilën mund të themi se nga përpjekjet për shkollën shqipe kalohet në etapën e luftës për shkollën kombëtare. Sipas J. Rexhepagiqit më të parat shkolla të kësaj periudhe kanë qenë në Prizren, Zym, Gjakovë e Pejë dhe në Shkup, Manastir e Ohër. Pas vitit 1900 u hapën shkolla edhe në Stubëll, Ferizaj e Zllokuqan. Figura madhore e kulturës shqiptare, Shtjefën Gjeçovi, ishte nga Janjeva dhe ka qenë mësues i shqipes në Zym, Pejë etj.
Nga ana e kundërt, duke u kufizuar me shkollat e para kombëtare, Hysni Myzyri (5) e ka kaluar përciptazi periudhën para Lidhjes së Prizrenit. Gjithsesi, si ai edhe autorë të tjerë e kanë kaluar në heshtje ndihmesën në këtë fushë të Shoqërisë Biblike dhe të misionarëve protestantë. Nuk mund të hyjmë në hollësi për të treguar se si ky trajtim i ka lënë të cunguara fillimet e arsimit shqip, ndërkohë që si rrjedhojë janë shprehur edhe mjaft konstatime e gjykime të gabuara. Po sjellim ndonjë shembull të vogël. Sipas H. Myzyrit, “Gjerasimi vendosi të bëjë një udhëtim të gjatë nëpër Shqipëri që nga Manastiri gjer në Mirditë e në Shkodër” (6). Ky është një gabim tipik dhe trashanik. Kurrsesi Gjerasimi nuk mund të vendoste vetë të bënte një udhëtim të tillë pa pasur një mbështetje. Ne i kemi të dhënat dokumentare për të treguar se puna ka qenë krejt ndryshe, por e keqja është se autorë të tillë shkruajnë jashtë çdo realiteti konkret historik. Edhe sot, kur janë gjithë mjetet e transportit dhe hotelet, nuk besoj se dikush do të vendoste kaq thjesht të bënte një udhëtim të tillë, pa shtuar këtu se udhëtimi kërkon edhe kthimin përsëri në Manastir. Ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme bëhen në rrethana të caktuara dhe me mbështetje konkrete. Edhe H. Koliqi në librin e vëllimshëm për historinë e arsimit e përmend vetëm si “Vëllazëria” shoqërinë e themeluar nga Gjerasimi, ndërkohë që ajo ashtu si edhe sot quhej “Vëllazëria Ungjillore”, kurse për A. Tomsonin thotë se erdhi në Shqipëri më 1864, ndërsa ai e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe për herë të parë më 1863.
Për më tepër, interesimi i shoqërive protestante amerikane për shqiptarët e Maqedonisë fillon që në vitin 1859, me udhëtimin e misionarit dhe gjuhëtarit të famshëm Elias Rigz, i cili pastaj ka shkruar për shqiptarët dhe për nevojën e një qendre protestante amerikan në Manastir, çka u realizua më 1873 në stilin e zakonshëm të misionit që përfshinte jo vetëm ungjillizimin por edhe çeljen e shkollave të përgjithshme në gjuhët amëtare.
Duke u mbështetur në një pasuri të gjerë dokumentare, që kemi shtënë në duar prej disa kohësh, na është mundësuar për këtë drejtim studimesh të shtojmë një varg gjërash, që po i përmendim si mbështetje kundrejt pohimeve të mësipërme.
Për herë të parë librin shqip në Manastir e kanë çuar më 1864-1865 librashitësit e A. Tomsonit, H. Riedel-i dhe A. Davidsoni. Më vonë Shoqëria Biblike caktoi Shkupin dhe Manastirin si qendra për shpërndarjen e librave. Dëshmitë e Shoqërisë Biblike na tregojnë rreziqet e mëdha dhe fatkeqësitë që kanë pësuar librashitësit Klundt, Sosnovski, Seefried, Ciku, etj. të cilët udhëtonin nga Shkupi në qytetet kryesore të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, duke shpërndarë librat jo vetëm në shqip por në gjuhët e të gjithë popujve të rajonit. Më pas K. Kristoforidhi ka shkuar deri në Shkup, duke bartur me vete jo vetëm përkthimet biblike, por edhe Abetaren e tij. Më pas këtë detyrë e kryen vëllezërit Qiriazi. Gjergji në depozitën e tij për botimet e Shoqërisë Biblike mbante edhe një librari të vogël të fshehtë për librat shqip. Me këtë bëhet e kuptueshme përse më 1888 valiu i Manastirit u betua, se do ta bënte shitjen e librave shqip aq të vështirë dhe të kushtueshme, saqë Shoqëria Biblike do të detyrohej të hiqte dorë nga ajo punë.
Gjerasim Qiriazi, një vit pasi u pranua në bashkësinë protestante, hyri në Kolegjin Amerikan të Samokovit me shpenzimet e Misionit Amerikan. Përfaqësuesi i shquar i Shoqërisë Biblike në Stamboll, A. Tomsoni më 1882 u rekomandoi misionarëve në Manastir të hapnin një klasë të mbrëmjes shqip. Ai i bëri ftesën e bashkëpunimit Gjerasimit më 1883, duke i shprehur dëshirën që fëmijët shqiptarë të kishin mundësinë të ndiqnin mësime në gjuhën shqipe. Në mesin e vitit 1885 Gjerasimi e nisi mësimin e shqipes me tri vajza, nxënëse të shkollës së vajzave të Misionit Amerikan. A. Tomsoni një vit më pas e ka quajtur me shumë rëndësi shkollën e tij në Manastir. Ajo nuk vijoi kur Gjerasimi bashkë me të motrën u shpërngulën në Korçë më 1891 për të hapur Shkollën e Vashave. Nënkonsulli britanik H. Shipley ka pohuar më 1893 se përpjekjet arsimore të Gjerasimit për anën mësimore gëzonin përkrahjen e madhe të Misionit Amerikan, madje edhe shkollat e Korçës e të Kolonjës këtë e kishin të vetmen mbështetje nga të huajt.
Sevasti Qiriazi ka shkruar se ishte Gjerasimi, që i mësoi shkrimin e këndimin në gjuhën amtare në Manastir, ndërsa para saj i kishin nisur këto mësime edhe shoqet e saj, rrjedhimnisht, e para shkollë për vajzat shqiptare ka qenë në Manastir, në shtëpinë e familjes Qiriazi. Mund të thuhet, se në Manastir u përpunua projekti i Shkollës së Vashave të Korçës dhe prej andej erdhën themeluesit dhe mësueset e saj. Plejada e shquar e Qiriazëve ka qenë edhe përgatitësja e teksteve shkollore.
Kur u themelua Klubi “Bashkimi” i Manastirit, një nga përkujdesjet e tij kryesore ishte të përhapej mësimi i shqipes edhe në Ohër, Strugë e Dibër. Dhe kjo do të thotë, se veprimtaria për shqipen në shkollë nuk ka qenë e kufizuar në Manastir, por ka rrezatuar edhe në viset e tjera shqiptare. Me vendim të këtij Klubi u ngrit shtypshkronja më 1909 dhe kështu aty nisi botimi i teksteve shkollore, ndër to e para Abetarja e Parashqevi Qiriazit. Ndërsa Gjergji që më 1899 kishte botuar “Fizikën” dhe ka lënë dorëshkrim një tekst të botanikës me titullin “Bimëtregonjë”. Nuk na ka ardhur edhe një gramatikë e shqipes, të cilën e pati hartuar Gjerasimi.
Punimet për arsimin shqip dhe për veprimtarët e shkollës shqipe kohët e fundit janë shtuar mjaft, ndërsa janë pasuruar edhe burimet dokumentare. Kemi kështu të dhëna të reja që na e ndriçojnë më plotërisht rrugën historike, si edhe vështrime më të thelluara duke kapërcyer kufizimet e politizuara. Në këtë kumtesë ne vetëm sa i prekëm fillimet te shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës, por besojmë se pamja do të ndriçohet më mirë nga tërësia e kumtesave të tjera. Sidoqoftë, zhvillimet e mëtejshme pas Pavarësisë dhe deri në gjysmën e dytë të shek. XX mund të thuhet se nuk nisnin nga zeroja, sepse kishin një trashëgimi të mëparshme.
SHËNIMET:
1. REXHEPAGIQ, J. (1972): Shkollat dhe arësimi në Kosovë nga fundi i shekullit XVIII gjer më 1918. “Kosova”, nr. 1. Prishtinë, f. 107-238.
2. MACEKNZIE, G. M. & IRBY, A. P. (1864): Notes on South Slavonic Countries.
3. MILOJEVIĆ, M. S. (1872): Putopis dela prave (Stare) Srbije, II. Beograd.
4. HAHN, J. G. VON (1867): Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar. Wien.
5. MYZYRI, H. (1973): Shkollat e para kombëtare shqipe. Tiranë, f. 92.
6. KOLIQI, H. (2002): Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar. Prishtinë.