Në muajin shkurt të vitit 2017, gjatë hulumtimeve për disertacionin tim mbi Lëvizjen Protestante ndër shqiptarët, zbulova një dokument te Arkivi Qendror në Tiranë, një dokument që më shokoi: statuti ose kanonizma origjinale e Vëllazërisë Ungjillore (transkriptuar më poshtë). Më 14 nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi themeloi Vëllazërinë Ungjillore, “e cila qëllim të vetëm ka të përhapurit’ e Ungjillit edhe të shkronjavet shqipe ndë Shqipëri, me ç’do farë mënyre të drejtë.” Rilindja Kombëtare karakterizohej nga çelja e shoqërive kombëtare dhe letrare në qytete të ndryshme të botës, si:
- Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (1879, Stamboll);
- Drita-Dituria (1884, Bukuresht);
- Shoqëria e Mësimit Shqip (1888, Korçë)
- Dëshira (1893, Sofje);
- Vëllazëria Shqiptare (1894, Beni-Suef, Egjipt);
- Società Nazionale Albanese (1895, Koriliano Kalabro);
- Bashkimi (1899, Shkodër);
- Agimi (1901, Shkodër);
- Besa-Besën (1907, Boston) etj.
Por brenda Shqipërisë, një ndër shoqëritë e para të kësaj natyre ishte Vëllazëria Ungjillore. Në shumicën e punimeve shkencore kjo shoqëri nuk paraqitet me emrin e saj të plotë, por vetëm me shkurtimin “Vëllazëria”, si p.sh.: në librin e Hajrullah Koliqit për historinë e arsimit, si edhe në shkrimet e S. Luarasit, B. Dedjas dhe B. Sinanit. Në këto shkrime “Vëllazëria” (Ungjillore) u paraqit si një shoqëri vetëm për qëllime arsimore dhe shoqërore, duke i mënjanuar funksionin e saj primar, atë fetar. Përdorimi i shkurtimit të emrit nuk përbën një problem në vetvete, sepse vetë Vëllazëria Ungjillore e përdori shkurtimin “Vëllazëria”, në numrin e tretë të organit të saj periodik. Por, problemi qëndron në faktin që emri i plotë nuk përmendet asnjëherë në burimet e sipërpërmendura, duke dhënë një paraqitje njëdimensionale të Vëllazërisë e duke lënë jashtë faktin e rëndësishëm se kjo shoqëri ishte ungjillore dhe arsimore.
Gjerasim Qiriazi e njihte mirë veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit dhe të shoqërisë “Drita”, tek të cilat pa modele që mund të ndiqeshin edhe për Vëllazërinë Ungjillore. Por këto nuk ishin modelet e vetme që pa Gjerasimi. Prej kohësh, vite përpara se të vizitonte Stambollin dhe Bukureshtin, Gjerasimi kishte parë nga afër një shoqëri tjetër: Shoqërinë Ungjillore Bullgare (Bulgarskoto Evangelsko Druzhestvo), themeluar më 1874. Kjo shoqëri theksonte botimin dhe shpërndarjen e librave, si dhe mbështeste përhapjen e Ungjillit në Ballkan. Shoqëria Ungjillore Bullgare mbante lidhje të ngushta me Institutin Teologjik në Samokov, kështu që Gjerasimi njihte mirë programin, strukturën dhe filozofinë e saj, si dhe mori pjesë personalisht në takimet e tyre, sidomos kur filloi predikimet në gjuhën bullgare në Shkup pasi u diplomua. Në verë të vitit 1881, Shoqëria Ungjillore Bullgare zhvilloi mbledhjen e saj vjetore në Plovdiv, vetëm rreth njëqind kilometra larg Samokovit ku Gjerasimi studionte. Ndër temat që u trajtuan në këtë mbledhje do të veçonim:
- Ndikimi i krishterimit në shoqëri;
- Patriotizmi;
- Kisha dhe shkolla;
- Alkooli. [ABCFM-Missionary Herald 1881, 314–315]
Në këto tema mund të dallohet qartë përafërsia e tyre me ato që u trajtuan në një nga mbledhjet e Vëllazërisë Ungjillore:
- Nevoja për shkolla shqipe në Shqipëri;
- Kush duhet të jenë shokët e Vëllazërisë dhe detyra e tyre;
- Dëmi i madh që vjen nga të pirët. [Letra e Vëllazërisë, nr. 3, AQSH, fondi 102, dosja 82, viti 1893]
Në fillimet e saj Vëllazëria Ungjillore kishte në përbërje dhjetë anëtarë. Gjerasim Qiriazi u zgjodh president, ndërsa Gjergj Qiriazi u zgjodh arkëtar. Statuti apo “Kanonizma e Vëllazërisë Ungjillorëvet ndë Korçë” u hartua me dorë mbi një faqe, më 15 nëntor 1892 (2 nëntor 1892, sipas kalendarit të vjetër), me alfabetin e Stambollit, dhe përmban trembëdhjetë nene, tetë në faqen e parë dhe pesë në anën tjetër të faqes (të cilat mezi dallohen për shkak të vjetërsisë së dorëshkrimit).
Për një kohë të gjatë është raportuar se Vëllazëria e Ungjillorëve kishte vetëm tetë nene, sepse kështu raportonin burimet angleze (shih: Kuanrud, Gjerasimi 239, shënime për kreun 12) dhe ende nuk ishte zbuluar statuti origjinal që gjendet në AQSH. Tani i kemi të gjitha, 13 nyje.
David Hosaflook
Jemi shumë mirënjohës ndaj studiuesit Agesil Qiriazi, për punën e tij të lodhshme duke transkriptuar tekstin e statutit nga origjinali:
Kanonizma e Vëllazërisë Ungjillorëvet ndë Korçë
Nyj I. U fillua këtu ndë Korçë një Vëllazëri Ungjillorësh e cila qëllim të vetëm ka të përhapurit’ e Ungjillit edhe të shkronjavet shqipe ndë Shqipëri, me ç’do farë mënyre të drejtë.
Nyj II. Vëllazëria do të qiverisetë prej një kryesonjësi, një arkëtori, një shkronjësi edhe një pleqësie nga dy a m shumë vetash.
Nyj III. Kryesonjësi ka detyrë (që) [1] të vështronjë gjithë punët’ e Vëllazërisë qysh mbaronenë, të apë zë edhe të ndanjë ditën’ edhe orënë kur do të mblidhetë Vëllazëria për të vështruarë punët’ e saj.
N.IV. Arkëtori ka detyrë të mbanjë parat’ e Vëllazërisë që mblidhenë, dhe të jetë gati të apë llogari sa herë të thërritetë.
N.V. Shkronjësi ka për të mbajturë katastif [2] për gjithë punët’ e vëllazërisë [3], që kur u nis gjersa të epetë ndër duar të tjera, edhe sa herë të ketë mbledhje Vëllazëria të apë raport për gjithë punëtë që u bënë ndë mbledhjet. Ka detyrë edhe më, të mbanjë ndë katastif llogarin’ e arkëtorit, edhe të shënonjë qysh edhe përse janë përdorurë paratë. Shkronjësi do të mbanjë edhe kopja të letravet që dërgonenë nga an’ e Vëllazërisë.
N.VI. Pleqësia ka detyrë të vështronjë me kujdes gjithë punët’ e skolisë të mendonetë ç’është për të bërë edhe sa herë të bënetë mbledhja të apinë raport ç’është bërë për skolit edhe ç’nevojë kâ. Do të kenë kujdes mësonjësitë a mësonjësetë, edhe bashkë me ta do të radhitin programën’ e skolisë. Pleqësia do të jetë ndënë barë për të shtypurë vivlla.
N.VII. Ndë gjithë punëtë që do të punonjë pleqësia bashkë me kryesonjësinë, arkëtorë edhe shkronjësinë, ndë qofshinë 2/3 nga ata ndë një mëndje, për ç’do farë pune, puna duhetë të mbaronetë kështu.
N.VIII. Shokët’ e Vëllazërisë do të jenë ndarë mbë tri duarsh: Dor’ e parë do të paguanjë 10 grosh ndë muaj; e dyta 5 grosh edhe e treta 2 1/2 gr. Po ç’do njeri, Shqipëtar qoft’ a i huaj, munt të apë atë që i do zëmëra, edhe do të quhetë ndihmës i Vëllazërisë.
[f.2]
Shokët’ e Vëllazërisë kanë detyrë të shpienë vetë paratë te arketori ndë krye të çdo muaji; ata që s’ndodhenë këtu kanë detyrë ti dërgojnë me njeri tjatër. Ndë qoftë një shok i vëllazërisë mos paguanjë ndihmën’ e ti tre muaj radhëzi, ay shok humbet të drejtat e tia që kâ ndë Vëllazëri gjersa të [shlyenjë fare gjith’ ndihmënë].
N.IX. Ata që apënë një shumë të madhe njëherësh gjer mbë 20 lira do të quhenë shokë për jetë edhe mirëbërësat e Vëllazërisë. Ata që apënë njëherësh 5 lira do të quhenë shokë të nderit.
N.X. Kryesonjësi, arkëtori, shkronjësi edhe pleqësia zgjidhenë për një mot ndë funt të motit me shortën e të 2/3 të Vëllazërisë. Prej shokëvet të pleqësisë munt të zgjidhenë përsëri për motnë që vjen ndë e paftë për mirë edhe me udhë Vëllazëria.
N.XI. Mbledhja e madhe do të mblidhetë një herë në mot; edhe do të hapetë të enjten e Pashkëvet. Atëhere do të vështronenë të gjitha llogarit’ e Vëllazërisë, edhe do të zgjidhenë punëtorët’ e saj. Mbledhja e pleqësisë do të bënetë për muaj edhe do të jetë e hapurë për të gjithë. Ndë ato mbledhje do të bënenë fjalë për ndërtim të shokëvet.
N.XII. Ndë qoftë ndonjë punë e nevojshme për Vëllazërinë atëhere pleqësia munt të thërresë mbledhjen e madhe edhe përpara motit.
N.XIII. Kjo Kanonizmë munt të madhonetë për të mbaruarit’ e qëllimit që ka Vëllazëria, po as ndonjë [nenë], e cila ndal’nj këtë qëllim nukë do të shtonetë.
Ndë Korçë mbë 2 të Vjeshtësë III 1892.
[1] që, ka qenë shënuar në fillim, pastaj më vonë mbi të është shkruar të.
[2] katastif, gr. (to) katastiho = inventar, regjistër (Shih: Fjalor greqisht-shqip, Konstandinu G. Papafili, Athina, pa vit, fq. 207)
[3] Fjala Vëllazëri në përgjithësi duket e shkruar me shkronjë të madhe, megjithëse nga ana grafike nuk duket qartë. Në këtë rast këtu është shkruar me shkronjë të vogël.
f. 2