Paraqesim serinë përkujtimore “500/200” lidhur me protestantizmin shqiptar

Librat tanë disponohen nga libraria e Qendrës “Stefan” në Tiranë:

screen-shot-2016-11-10-at-9-09-52-pm

Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante boton serinë përkujtimore “500/200”, për të festuar disa përvjetorë të veçantë në historinë e protestantizmit europian dhe shqiptar: si, përvjetori i 500-të i Reformimit Protestant në Europë (1517), përvjetori i 200-të i lëvizjes protestante ndër shqiptarë (e cila zë fill me letrën e Robert Pinkertonit më 1816, drejtuar Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja, duke e nxitur atë që të merrej me përkthimin e Dhiatës së Re në gjuhën shqipe), përvjetori i 150-të i botimit të katër ungjijve në gegërisht për të parën herë (përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi dhe botuar nën përkujdesjen e Shoqërisë Biblike më 1866), përvjetori i 125-të i hapjes së Shkollës shqipe për Vasha në Korçë më 1891 (Gjerasim Qiriazi dhe motra e tij, Sevastia, e hapën këtë shkollë sipas modelit të shkollave të misioneve protestante në mbarë Perandorinë Osmane në shekullin XIX), përvjetori i 125-të i themelimit të Vëllazërisë Ungjillore (e cila kishte si synim zhvillimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e ungjillit, më 1892), përvjetori i 100-të i vëllimit të parë të periodikut dygjuhësh (shqip e anglisht) të Parashqevi Qiriazit, Yll’i Mëngjezit (1917), dhe përvjetori i 20-të i vdekjes së misionarit ungjillor Edvin Xhejks, i cili ka punuar si misionar në Korçë në vitet 1932–1940 dhe ka shkruar librin Shqiptarët, historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme.

Botime të tjera nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante të përfshira në serinë përkujtimore “500/200” janë:

  • Shqipëria dhe shqiptarët në raportet vjetore të Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet e Huaja, 1820–1924
  • Shqipëria dhe shqiptarët në raportet vjetore të Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja, 1805–1955
  • Thesaret e Shoqërisë Biblike (dokumente të përkthyera nga prof.dr. Xhevat Lloshi)
  • Krestomaci: vjersha, këngë, dialogë, përralla në dy vëllime, 1902 dhe 1907 (Gjerasim dhe Gjergj Qiriazi)
  • Udhëtari nga kjo botë në tjetrën (Gjon Bunjan, 1678; përkthyer nga Gjergj Qiriazi, 1894)
  • Udhëtime në Shqipëri: shkrime të zgjedhura nga autore britanike, 1717–1878
  • Historia e Shenjtës Shkronjë dhe Katër Katekizma (Kristoforidhi)
  • Mësime të vyera të folura në mësonjëtoret shqipe të çupave në Korçë (1896)
  • Kënkëtorja e Korçës: himnet e kishave ungjillore, 1893, 1908, 1927