pjesën e parë të artikullit u paraqit jeta e Thanas Sinës nga 1859-1910. Ai u dallua gjatë këtyre viteve si mësues, patriot, predikues, redaktor, botues dhe përkthyes i Biblës. Pjesa e dytë vazhdon me kontributin e tij deri në fund të jetës

Thanas Sina

Thanas Sina

Ndihmësdrejtor në depon e ShBBVH-së, Manastir: 1911-1912

Kur turqit u përpoqën ta mbyllnin shtypshkronjën e klubit “Bashkimi” në Manastir, Shoqëria Biblike Britanike e për Vendet e Huaja (ShBBVH) e caktoi sërish Sinën në depon e Manastirit, që të ndihmonte Gjergj Qiriazin dhe gazetën “Bashkimi”. Në këtë kohë Th.Sina mbaroi redaktimin e Dhjatës së Re, të cilën, në vitin 1912 shtypshkronja e botoi me alfabetin e ri shqiptar. Pastaj Th.Sina filloi të redaktonte Fjalët e Urta dhe të përkthente libra të tjerë të Dhjatës së Vjetër. Ai kërkoi ndihmën teologjike të T.R. Hoxhsonit, drejtor i ShBBVH-së në Stamboll, për të përkthyer tekstet më të vështira të Dhjatës së Vjetër. Papritmas, në 30 dhjetor 1912, drejtori i ShBBVH-së së Manastirit, Gjergj Qiriazi vdiq. Natyrisht, Th.Sina zuri vendin e tij. Atë vit Th.Sina raportoi që ShBBVH-ja me klubin “Bashkimi” botuan 1000 kopje të Dhjatës së Re dhe 5000 kopje të librit të Fjalëve të Urta. Fatkeqësisht, shtypshkronja nuk mund të punonte më për mungesë të vajgurit. Kjo nuk e ndaloi Sinën. Ai vazhdoi të përkthente II i Samuelit.

Drejtor i depos së ShBBVH-së, Manastir: 1913

Klubi “Bashkimi” i kërkoi Hoxhsonit dhe ShBBVH-së të bëheshin pronarë të regjistruar të shtypshkronjës në Manastir, në mënyrë që ta mbronin nga konfiskimi prej qeverisë turke. Manastiri vuajti shkatërrime të tmerrshme gjatë luftërave të Ballkanit. Klubi gjithashtu bëri kërkesën që shtypi të lëvizte në shtëpinë e Th.Sinës në Korçë, tani nën qeverisjen greke. Librashitësit shëtitës e ShBBVH-së u ndeshën me kushte të rrezikshme udhëtimi. Turqit dhe grekët kundërshtuan përdorimin e Biblës dhe përndoqën shumë njerëz që blinin dhe lexonin Biblën dhe letërsinë shqiptare të shitura nga librashitësit. Është e vlefshme të vëmë re që Pentateuku, Psalmet, Fjalët e Urta, Isaia dhe Dhjata e Re, së bashku me katër ungjijtë dhe librin e Veprave, u shtypën në 1913. Për shkak të disa vështirësive dhe varfërisë gjatë luftës, pak kishin rezerva për t’i blerë këto Shkrime të çmuara në gjuhën shqipe. Përveç rrënimit nga lufta, kolera ishte shumë e përhapur në Manastir dhe në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, Th.Sina dhe pastori i Kishës Ungjillore në Korçë, patrioti Grigor Cilka, ndihmuan për të lehtësuar disi pasojat e luftës, së bashku me pastorin misionar të BAKMJ-së, Telford Erikson, edhe zonjën e njohur dhe të respektuar angleze, Edith Durham.

Përkthimet: luftërat e Ballkanit dhe Lufta e Parë Botërore

Përkthimi i gjithë Biblës për bashkatdhetarët e tij u bë për Th.Sinën pasioni i jetës së tij. Përpara se pastor T. R. Hoxhsoni të transferohej nga zyra e tij në Stamboll në shtabin e përgjithshëm të ShBBVH-së në Londër, ai e lavdëroi Th.Sinën në botimin e “Biblës në botë” nga Shoqëria, në 1911, duke thënë: “Perëndia na e siguroi njeriun, zotin Athanas Sina, gjatë shumë viteve të tij të shërbimit si një librashitës shëtitës i Shoqërisë në Shqipëri, … i cili bëri një studim të thellë të gjuhës, dhe nga miratimi i të gjithëve është njohur si një studiues më frytdhënës shqiptar të kohës.” Nën mbikëqyrjen e Hoxhsonit, Sina, me zotërimin e greqishtes dhe të gjuhëve të tjera, ishte i aftë të sillte një version të Dhjatës së Vjetër “pa dyshim, aq besnik në përkthimin origjinal të Shkrimit, sa ç’mund të përkthehej nga çdo shkollar shqiptar në ditën e sotme” (Hoxhson në “Bibla shqiptare”).

Hoxhsoni ankohej se si luftërat ndërhynë fuqishëm në punën e Shoqërisë. Gjatë trazirave të Luftës së Parë Botërore, Th.Sina punoi në heshtje me shpenzimet e veta dhe me shumë përkushtim. Pavarësisht nga kushtet e trishtueshme të Manastirit, me djegien e fshatrave përreth, taksat doganore dhe të përgjithshme të larta, shtypshkronja ishte e aftë të botonte Librat e Jobit dhe të Predikuesit në majin e 1914. Gjatë Luftës, Th.Sina i shtoi leksikut shqiptaro-grek një leksik greko-shqiptar, për të lehtësuar përkthimin e Dhjatës së Re.

Librashitësit shëtitës të ShBBVH-së u përballen me rreziqe të mëdha, burgime dhe vështirësi. Th.Sina shkroi se si kryeministri i parë, Ismail Qemali, vizitoi Shtëpinë e Biblës në Londër për të falënderuar ShBBVH-në për vitet e tyre të shërbimit në Shqipëri. Th.Sina raportoi që I.Qemali përkrahte punën e Bordit Amerikan në vend (Letra e Sinës drejtuar Hoxhsonit në 3 janar, 1914). Ndërkohë që Lufta e Parë Botërore vazhdonte në 1915, Th.Sina shkroi fjalët vijuese mbi mirësinë dhe sovranitetin e Perëndisë në mes të kohërave të llahtarshme: “Është një Zot dhe Fjala e Tij nuk mund të kufizohet; sa për mua, gjej ngushëllimin më të madh në leximin e Psalmeve 46 dhe 91…ne të gjithë do t’i themi Perëndisë: Është mirë për mua që kam qenë i pikëlluar; që të mësoj statutet e tua. Ligji i gojës sate është më i mirë për mua se sa mijëra flori dhe argjend (Psalmi 119:171). Zoti ynë, ndihma dhe ngushëllimi ynë i vetëm, mbretëron mbi të gjitha gjërat…Ai do të punojë për qëllimin e Tij përmes këtyre luftërave të llahtarshme dhe pikëlluese; dhe qëllimet e tij janë më të mirat. (Letër, më 3 shkurt, 1915)

Përkthimi i Dhjatës së Vjetër pothuajse i përfunduar: 1918-1919

Dhjata e Vjetër shqiptare mund të botohej shumë më herët se viti 1993, po të mos kishte pasur luftë. Th.Sina pati përkthyer pothuajse të gjithë Dhjatën e Vjetër kur luftërat e Ballkanit shpërthyen. Midhat Frashëri, drejtori i Kongresit të Alfabetit në 1908 dhe i pari ministër shqiptar i Punëve Botore, tha që “Gjatë luftës, zoti Sina dhe familja e tij u strehuan diku në territorin grek. Ai tani shkruan që përkthimi në shqip i Biblës ka vazhduar me qëndrueshmëri dhe në heshtje, me ndihmën e shkollarëve shqiptarë, me të cilët ai është këshilluar.” Në 1919, gjatë periudhës së Konferencës së Paqes në Paris, Hoxhsoni vajton faktin që Bibla e plotë nuk ishte botuar, siç ishte parashikuar.

Vonesat e redaktimit të Dhjatës së Vjetër: 1920-1925

Gjatë fillimeve të vitit 1920 në Stamboll drejtuesit e Shoqërisë së Biblës ndryshuan disa herë. Drejtuesit e rinj nuk ishin në dijeni për vlerësimin e thellë të Shoqërisë ndaj kontributeve të Th.Sinës nën drejtuesit e mëparshëm, Aleksandër Tomsoni, nga 1865 në 1895, dhe T. R. Hoxhson, nga viti 1896 në 1919. Midis Th.Sinës dhe drejtorëve vijues, Heg (1920-22), Uajzman (1923-1924) dhe Senjt Kler (1925) u gjet shumë korrespondencë për redaktimin e nevojshëm të Dhjatës së Vjetër. Në periudhën e fillimit të Luftës së Parë Botërore, Th.Sina besonte që ai kishte bërë një punë prej studiuesi me gramatikën shqiptare, por që do të ishte më mirë të priste derisa qeveria të vendoste zyrtarisht për përdorimin e dialektit toskë apo gegë. Në 1920, Th.Sina shpresonte të mbaronte punën e jetës së tij dhe të tërhiqej në Korçë me familjen e tij. Drejtorët e hershëm të Shoqërisë Biblike dhe Midhat Frashëri besonin që Th.Sina kishte përkthyer me zotësi Dhjatën e Vjetër.

Th.Sina e donte mprehtësinë teologjike të Kenedit, si një i diplomuar në Seminarin Teologjik Princton, për procesin e redaktimit, kurse në përgjigjen e letrës së Kristo Dakos drejtuar dr. R. Kilgorit në Londër, në 9 prill, 1925, ai e kritikonte njohjen e shqipes nga Kenedi. Në kohën e këtyre diskutimeve për formimin e komitetit të redaktimit për përkthimin shqip të Dhjatës së Vjetër Midhat Frashëri ishte atëherë ambasadori shqiptar në Athinë dhe nuk e kishte lirinë që t’i përkushtohej aq kohë sa ç’kishte dëshiruar fillimisht projektit të redaktimit. Frashëri i shkroi Th.Sinës në gusht të 1924 për një rol të “…bashkëpunimit me bashkëpunëtorë të tjerë, duke konsideruar dhe duke vlerësuar së bashku. Jam në gjendje të ofroj një shërbim të vogël në një këshill të tillë. Por nuk mendoj që mund ta plotësoj këtë detyrë vetëm.” Në verën e vitit 1925 komiteti i redaktimit u anulua.

Botimi shtyrë pa afat

Në mars të 1925, Thanas Sina kaloi një goditje cerebrale në Korçë, ku jetonte me të birin, Thodhori. Fineas Kenedi, misionari i ShBBVH-së në të njëjtën kishë, njoftoi zotin Senjt Kler, drejtorin aktual të ShBBVH-së në Stamboll.

Dakoja i dha një kundërofertë shumë të shtrenjtë ShBBVH-së për projektin e redaktimit, që të punësonte njerëz të zot, si profesor Mihail Sherkon dhe drejtorin e përgjithshëm të drejtorisë së arsimit, K. Gurakuqin, administratorin e shkollave publike në Shkodër, Mati Logoreci, drejtorin e shkollave publike për vajza në Tiranë dhe G. Lukan, ekonomistin e Ministrisë shqiptare të Arsimit. Tre muaj pas goditjes cerebrale që Sina kaloi, Kenedi u takua dhe bisedoi me të. Sina dëshironte shumë që Kenedi të ishte në komitetin e redaktimit për shkak të njohjes së tij të Shkrimit, jo për shkak të aftësisë së tij në gjuhën shqipe. Zoti Sherko, ministri i Arsimit, e vlerësoi punën e Sinës, por gjeti këto pika kritikuese: 1) në disa vende përkthimi nuk është i plotë, 2) në shumë vende sintaksa vijon në anglisht, 3) stili nuk është i qartë dhe as i lehtë për t’u kuptuar dhe 4) përkthimi është bërë në dialektin toskë (Letra e Sherkos drejtuar Senjt Clair në 20 qershor 1925).

Një muaj më pas, Violetë Kenedi i shkroi Senjt Klerit që peshkopi ishte i interesuar të botonte dorëshkrimin e Sinës dhe “më vonë, kur gjuha të ishte standardizuar më mirë, atëherë mund të bëhej një version tjetër i rishikuar.” Kjo ishte saktësisht çfarë Sina i kishte sugjeruar Hoxhsonit më parë në vitin 1918 ose 1919. Në mirëbesim peshkopi i kishte rrëfyer që besonte se populli shqiptar kishte pritur mjaft për Biblën dhe se do të kalonte një kohë e gjatë derisa studiuesit shqiptarë të binin dakord në lidhje me dialektin. Është ironike që dialekti toskë që Sina përdori për përkthimin e Dhjatës së Vjetër triumfoi në vitin 1972 si një kontribuues i rëndësishëm për gjuhën letrare shqiptare të njësuar. Senjt Kleri u përpoq ta çonte punën e jetës së Sinës në përfundim; gjithsesi, Shoqëria e Biblës nuk qe e suksesshme në zgjidhjen e çështjes së redaktimit. Meqë Sina ishte në një gjendje të paqëndrueshme shëndetësore, dorëshkrimet e Dhjatës së Vjetër mbetën në duart e djalit të Sinës, të cilat u zhdukën më pas, në vitet e komunizmit.

Përfundimi

Për tridhjetë e shtatë vite Thanas Sina i shërbeu me besnikëri vendit të tij, Shoqërisë Biblike Britanike e për Vendet e Huaja, Vëllazërisë Ungjillore dhe Perëndisë së tij sovran. Ai ishte një nga tre mësuesit e parë të gjuhës shqipe në shkollën e parë për djem në Korçë. Ai ndihmoi drejtuesin e parë ungjillor shqiptar, Gjerasim Qiriazin, ashtu sikurse shumë të vlerësuarin drejtor të ShBBVH-së, Aleksandër Tomsonin në Stamboll, me përkthimin e Biblës. Ai ishte sekretari i Vëllazërisë Ungjillore të themeluar nga Gjerasimi. Qysh herët, në 1895, ai ishte i njohur si një predikues i shkëlqyer në Korçë, ku puna më kumbuese ungjillore në Shqipëri i kishte rrënjët e saj deri në rënien e komunizmit. Ai u bë drejtori i depove të ShBBVH-së në Bullgari dhe Manastir për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ai ishte një redaktor i vlerësuar për gazetën shqiptare “Bashkimi i kombit”. Ai dha mësim së bashku me drejtorin e parë të shkollës shqipe për djem, Pandeli Sotirin, dhe me Sevasti Qiriazin në shkollën e parë shqipe për vajza. Me sukses, ai redaktoi Dhjatën e Re në toskërisht me Gjergj Qiriazin dhe një version të botuar me alfabetin e ri të 1908. Ai redaktoi gjithashtu Pentateukun, Psalmet, Fjalët e Urta, Predikuesin, Isaian dhe librat e Samuelit. Ai mbikëqyri dhe inkurajoi shumë librashitës shëtitës të guximshëm në Bullgari, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Ndryshe nga shumë patriotë, ai nuk e la Ballkanin për të ikur në Amerikë gjatë luftërave të potershme të Ballkanit dhe Luftës së Parë Botërore, por me qëndrueshmëri ndoqi misionin e jetës së tij mes njerëzve të tij. Ai ndihmoi Bordin Amerikan të Komisioneve për Misionin e Jashtëm (ABCFM) dhe Edith Durhamin në shpërndarjen e ndihmave gjatë Luftës së Parë Botërore.

Gjithsesi, pasioni i tij i madh, që t’i shikonte bashkatdhetarët e tij ta merrnin Biblën e Shenjtë të plotë në gjuhën e tyre, nuk u realizua deri pas rënies së komunizmit në 1991 – më shumë se shtatëdhjetë vjet nga koha që ai e kishte mbaruar përkthimin e tij të Dhjatës së Vjetër. Ky brez mundet, më së fundmi, të vlerësojë udhëheqjen novatore të Thanas Sinës, shërbëtorit besnik dhe të apasionuar për çështjen e Shkrimeve në gjuhën shqipe.

—Dana Stucky