Screen Shot 2015-04-01 at 1.52.38 PMNga Prof. dr. Muhamet Mala, 2011

Një vlerësim kritik me rastin e promovimit të monografisë: “Lëvizja protestante midis shqiptarëve 1908-1991” të autorit Mr. David Young, në botim të shtëpisë botuese “Tenda” Prishtinë, 2011. 

Me ndryshimet e reja shoqërore dhe politike në trevat gjithë shqiptare ngadalë por sigurt po ndryshojnë qëndrimet dhe ideologjitë qe e konsideronin religjionin si një botëkuptim të dëmshëm dhe tërësisht të pa vlerë përballë koncepteve tjera ideologjike. Në ketë kontekst të ri zbulimit të vlerave jo vetëm fetare por edhe atdhetare dhe intelektuale duhet të prezantohet edhe publikimi i titulluar Lëvizja protestante midis shqiptarëve 1908-1991 i autorit anglez David Young publikuar nga shtëpia botuese “Tenda” në Prishtinë. Edhe pse libri përmban një titull ne dukje fetar përmbajtja e tij është e karakterit historik duke bëre që libri të del nga kufitë e ngushtë teologjik. Si i tillë libri na jep shpjegime për shume ngjarje me rëndësi nga historia shqiptare e shekullit te kaluar. Duke trajtuar aktivitetin e lëvizjes protestante në libër elaborohen në detaje ngjarjet emblematike nga e kaluara shqiptare siç është rasti i organizimit të Kongresit të Manastirit, veprimtaria botuese në gjuhën shqipe apo hapja e shkollave shqipe. Nga leximi i librit vërehet qartë se lëvizja protestante nuk ishte një lëvizje e ngushtë vetëm fetare. Ajo nuk u ndal vetëm në predikimin biblik të ungjillit por përcaktoj veprimtarinë edhe përmes aktiviteteve tjera ne fushën e letërsisë, muzikës, teatrit, filozofisë, bamirësisë dhe veprimtarive tjera. Ky libër që paraqet ketë veprimtari të gjerë ka edhe një simbolik të veçantë që siç thotë edhe autori botohet në prag të dy përvjetorëve të mëdhenj të krishterimit protestant. Me 2016 do te shënohet 200 vjetori lëvizjes protestante në mes shqiptarëve ndërsa viti 2017 do të shënoj 500 vjetorin e reformacionit. Autorit David Young duke qenë drejtor shumë vjeçar i “Misionit Ungjillor Shqiptar” (“Albanian Evangelical Mission”) për se afërmi e ka njohur dhe ka kontribuar në afirmimin e vlerave shqiptare dhe këtë gjë vazhdon ta bëjë edhe tani përmes publikimit te këtij libri. Ai erdhi së pari ne Kosovë në vitin 1974 dhe filloi ta mësojë gjuhën shqipe si autodidakt nga disa libra të vjetra duke shprehur edhe në ketë mënyre përkushtimin e tij ndaj zhvillimeve protestante në mesin e kombit tonë.

Rasti i autorit të këtij libri nuk është rasti i vetëm i një autori të huaj të provinieses protestante që për herë të parë merret me ngjarjet nga e kaluara shqiptare. Këtë gjë e bëri edhe më herët studiuesi tjetër i provinienses protestante autori i mirënjohur Edvin Xhejks (Edwin Jaqcues) i cili publikoi një libër gjithëpërfshirës mbi historinë shqiptare nga antika deri në rrënjën e monizmit. Madje materialet e mbledhura nga ky autor që i referoheshin punës së protestantëve në trevat gjithë shqiptare që botuesi i librit ia kishte larguar nga publikimi i shërbyen autorit D. Young si material i mirëseardhur për botimin e këtij publikimi. Pra një pjesë të parealizuar të punës studimore të misionarit Xhejks e vazhdoi dhe e prezantoi në ketë libër David Young. Ketë gjë e potencon dhe vetë autori Young kur thotë: “Duke e risistemuar materialin tematikisht rishkrova historinë e tij me fjalët e mija duke i qëndruar në të njëjtën kohë besnik informacionit të siguruar prej tij”. Por autori Young në publikimin e tij përdor edhe materiale dhe shkrime te pabotuara te misionarëve te tjerë qe shërbyen në Shqipëri si bie fjala të misionarit Fineas Kenedi (Phineas Kennedy). Po ashtu autori i këtij libri ka shfrytëzuar intervistat personale me shumë njerëz emrat e disave prej të të cilëve nuk i ka përfshi ne publikim sepse siç thekson vetë autori dëshiron për ti mbrojtur ata nga vështirësitë e mundshme. Gjithashtu vlerën e këtij librit e shton edhe përdorimi i arkivave te Shoqërisë Biblike në Kembrixh si dhe referencave nga burime te ndryshme për Shqipërinë dhe Kosovën.

Autori e ndan librin në shtatë kapituj duke e ndjekur rendin kronologjik te ngjarjeve. E fillon me vitin 1908 duke e marrë si nisme pikërisht një ngjarje me rendësi nga historia shqiptare, mbajtjen e Kongresit te Manastirit dhe e përfundon me vitin 1991 që shënon fundin e regjimit komunist në Shqipëri dhe fillimin e lirive fetare. Ky vit lidhet e edhe me ngjarjet në Kosovë për shkak te fillimit te luftës në ish-jugosllavi, izolimit ushtarak të Kosovës dhe shpërnguljes se misionarëve protestant në Shqipëri.

Autori duke përshkruar ngjarjet historike ne Shqipëri nga viti 1908 rendësinë më të madhe ia kushton punës se protestantëve dhe rolit te tyre në Kongresin e Manastirit të shprehur përmes punës se Gjergj Qiriazit.

Nga shënimet në libër kuptojmë se më 4 shtator 1908 respektivisht rreth 2 muaj para organizimit të Kongresit Gjergji i shkroi përfaqësuesit të Shoqërisë Biblike Hodgsonit se nuk kishte pasur mundësi ti shkruante meë gjatë për shkak të punës së madhe me të cilën kombi e ka ngarkuar dhe e ka bërë përgjegjës për te rregulluar gjerat më të nevojshme lidhur me çështjen shqiptare si për gjuhën ashtu edhe për botimet.

Vlera e lëvizjes protestante gjate viteve në fjalë pasurohet edhe me një segment jo aq te popullarizuar tek shqiptarët e asaj kohe, me angazhimin e gruas ne aktivitete kulturore. Me 1909 Parashqevi Qiriazi organizoi shoqërinë e parë të njohur për gratë shqiptare të quajtur “Ylli i Mëngjesit” që kishte për qellim përhapjen e edukimit në mes grave shqiptare.

Segmenti tjetër i rëndësishëm i veprimtarisë protestante ne trevat shqiptare i publikuar në këtë libër të D. Young-ut lidhet me veprimtarinë botuese. Libri elaboron veprimtarinë botuese te Shoqërisë Biblike ne Shqipëri. Këtë gjë e kuptojmë nga një agjenti i kësaj shoqërie ne Stamboll ne vëllimin e 7-të raportit të titulluar “The Bible in the World” (Bibla në botë) më 1911 ku shkruan se kryetari dhe bordi drejtues i shtypshkronjës ne Manastir janë shqiptarë muhamedan që me sakrificë kane ngritur fonde për funksionimin e shtypshkronjës dhe ata konsiderojnë shtypjen e Biblës ne shqip si thirrjen dhe detyrën e tyre të parë. Pra nga libri kuptojmë se iniciativa protestante për botimin e librave ne shqip, kuptohet në radhë të parë Biblës hasi ne përkrahjen e parezervë te shqiptarëve madje edhe të atyre të besimit islam sa që ketë gjë siç u tha më lartë nuk e lën pa e potencuar edhe Zotëri Hodgson. Ne ketë mënyre përmes këtyre prezantimeve potencohet njëra nder vlerat më të mëdha te shqipatarve, toleranca dhe respekt ndërfetar të cilën gjë protestantët nuk e hasin te grekët dhe te serbët. Madje qëndrimi grek ndaj Shoqërisë Biblike ishte shumë dallues në krahasim me shqiptarët. Ai ishte armiqësor dhe mospërfillës për shkak të politikës heleniste greke ndaj shqiptarëve. Autori nuk lë pa përmendur ndihmën që figurat intelektuale shqiptare të besimit islam i jepnin lëvizjes së krishterë protestante ne fushën e saj të veprimtarisë kombëtare. Dy figura te mirënjohura te veprimtarisë politike dhe publicistike shqiptare gjithashtu anëtar të lartë të qeverisë osmane Sami dhe Naim Frashëri i ofruan Shoqërisë Biblike një mbështetje të çmuar në promovimin e shkrimeve në shqip që ishin në qarkullim nga shoqëria. Pra nga libri kuptojmë se përveç me të krishterët lëvizja protestante pati bashkëpunim edhe me myslimanet, veçanërisht ne fushën e botimit shqip.

Libri bënë fjalë edhe për aktivitetin e shpërndarjes se publikimeve ne gjuhën shqipe pas botimit të tyre. Kolpolterët (libërshitësit) e lëvizjes me mund dhe sakrificë punonin në shpërndarjen dhe prezantimin e Biblës në gjuhën shqipe në trevat gjithë shqiptare. Kështu bie fjala gjate vitit 1910 shitjet në Shqipëri përfshinin 6410 kopje të shkrimeve që ishte më e madhja deri atëherë. Nga këto veprimtari shohim se lëvizja protestante në kuptimin organizativ te kishës udhëhoqi një politik kombëtare.

Politika e misionit ungjillor shqiptar insistonte në formimin e një kishe kombëtare ungjillore e cila nuk do të varej nga parat që vinin nga jashtë ose nga udhëheqësit e huaj. Ketë synim dhe ketë parim e përvesuan edhe të gjithë misionarët e misionit ungjillor shqiptar duke i dhënë shkas organizimeve në baza kombëtare e që deri atëherë ishte një gjë e pa pare.

Është interesant te përmendet fakti se gjatë Luftës se Dyte Botërore forcat italiane i konsideronin misionarët ungjillor si armiq për faktin se ata identifikoheshin me amerikanët dhe propaganda italiane në atë kohë dihet se ishte anti-amerikane. Madje njeri nga misionarët Koci Treska më 1940 u internua nga italianet si adhurues i amerikanëve dhe ai refuzoi të mohonte qoftë besimin e tij qoftë vëllazërinë e tij amerikane.

Duke elaboruar më tutje veprimin e lëvizjes protestante, autori D.Young në libër i kushton një hapësirë trajtimit të lëvizjes nga regjimi monist në Shqipëri dhe treva tjera etnike. Regjimi komunist qysh në fillimet e pushtetit të tij vendosi kufizimet fetare duke e vështirsuar kështu aktivitetin misionar jo vetëm protestant por aktivitetin fetar dhe misionar në përgjithësi. Një numër i madh shërbyesish fetar u internuan, u burgosen apo u ekzekutuan. Madje edhe baza materiale e organizatave fetare u nacionalizua. Sipas librit kuptojmë se Dekreti numër 4337 i nëntorit të vitit 1967 i konsideronte të gjitha komunitetet fetare të jashtëligjshme, ndërsa neni 37 i kushtetutes shqiptare të vitit 1967 theksonte se shteti nuk njeh asnjë fe dhe zhvillon dhe përkrah propagandën ateiste. Po ashtu neni 55 i kodit të procedurës penale vendoste dënimin për agjitacion dhe propagandë fetare njësoj si për propagande fashiste dhe luftë nxitëse. Ne këto kushte të ashpërsuara të diktaturës komuniste veprimtaria misionare ungjillore ashtu si edhe veprimtaritë e komuniteteve tjera fetare u pamundësua tërësisht. E gjithë kjo sipas autorit bëri që një numër fare i vogël besimtarësh ti mbijetojë katrahurës komuniste.

Autori Young ne kuadër te librit trajton edhe lëvizjen protestante në Kosovë. Kjo tematikë zë një vend dukshëm më të vogël duke i marrë parasysh rrethanat, përkatësinë fetare dhe hapësirën e Kosovës. Kjo lëvizje siç thekson edhe vetë autori u transformua në një pune shqiptare nga minoriteti serb duke rezultuar me një numër besimtarësh qe sipas të dhënave kishtare sillet diku prej 1500 deri 2500 veta, por sipas autorit një shifër me e vogël do të ishte me reale. Kisha e pare ungjillore e themeluar në Kosovë ishte ajo metodiste. Historia e kishës metodiste si fraksion protestant zë fill nga Maqedonia pak para vitit 1908. Perandoria osmane në atë kohe nuk kundërshtonte misionet e krishtera në mesin e hebrenjve dhe të krishterëve te tjerë por kanoseshin me vdekje te konvertuarit nga islami. Qyshe në vitin 1898 sipas autorit Young një “grua e Biblës” (Bible woman) erdhi në Prishtinë për të punuar në mesin e popullatës lokale dhe nisi punën me gratë. Ne atë kohë Prishtina ishte qendër e fushës së misionit të Selanikut. Shoqëria Biblike Britanike gjithashtu ishte aktive në Kosovë mirëpo kishat nuk ishin të njohura ligjërisht dhe vuanin nga masat shtypëse të qeverisë serbe të cilët e konsideronin unitetin e kishës ortodokse serbe si themelor për konsolidimin e unitetit te Jugosllavisë. Në fakt një tipar dallues i përgjithshëm i lëvizjes ungjillore në trevat në trajtim ishte përndjekja dhe persekutimi. Pas Luftës së Dytë botërore puna rreth lirive fetare nuk qëndronte mirë por pas vitit 1948 kur Jugosllavia shkëputi lidhjet me ish Bashkimin Sovjetik këto vështërsi u zbuten. Kështu më 1956 në Pejë u formua një kishe baptiste ndërsa ndërtesa e kishës u hap me 1969. Autori në vazhdim jep një përshkrim të historisë kishtare ungjillore në Kosovë. Kështu ai thekson se më 1987 kisha pentakostale në Prishtine e quajtur “Bashkësia e popullit të zotit” ribotoi librin e psalmeve të Shoqërisë Biblike nga viti 1872 përkthyer nga Konstantin Kristoforidhi. Veprimtaret e kësaj kishe regjimi i atëhershëm serb i cilëson ata si bashkëpunëtor te shërbimit sekret amerikan CIA.

Në Kosovë po ashtu vepron edhe Bashkësia Ungjillore e Mesisë” (BUM) qe është kishë e krishtere protestante, themeluar më 1994 dhe vepron me një game të gjerë të veprimtarisë edukative e botuese nga fusha ungjillore por edhe më gjerë.

Përveç kësaj autori i librit D. Young trajton në mënyre të shkurtër edhe veprimtarinë e lëvizjeve ungjillore edhe në treva tjera shqiptare si në Mal te Zi, Greqi, Maqedoni, madje edhe në Itali dhe në fund ofron një shtojce e cila në mënyre vizuale me faksimile dhe fotografi e mbështet materialin e trajtuar ne libër.

Libri trajton lëvizjen protestante por duke lexuar fitojmë përshtypjen e një libri historik sepse këtu historia dhe lëvizja ndërlidhen, ndihmohen dhe gërshetohen pa ndërpre dhe në mënyre të natyrshme. Autori mundohet ta japë një përshkrim sa me real të ngjarjeve. Publikimi duke u mbështet në materiale të shumta jep një pasqyrë të lëvizjes protestante pa konstruksione dhe prejudikime paraprake pa implikim të politikës por mbështetur në analizën dhe interpretimin e drejte të burimeve.

Libri gjithashtu ka karakter informimi, afirmimi dokumentar dhe arkivor që i dedikohet një rrethi të gjerë të lexuesve shqiptar por gjithsesi në përkthimin eventual në gjuhë të huaja do të jete edhe në interesë edhe të tjerëve. Ky libër mund të shërbeje si pikënisje për studime të tjera të thella dhe të detajuara shkencore për të gjithë ata që do të hulumtojnë dhe shkruajnë për historinë e religjioneve tek shqiptaret.

Fare në fund dua të theksoj se lëvizja protestante tek shqiptaret nuk ishte e madhe në numër por veprimtaria e tyre është shumëfish më e madhe se sa numri real dhe kjo falë entuziazmit punës së palodhshme, sinqeritetit dhe devotshmërisë nda çeshtjes të vetë këtyre ndërzeve siç është rasti i motrave dhe vëllezërve Qiriazit, të Grigor Cilkës, Kristo Dakos, Koçi Treskos, Robert Pinkertonit, Michael Brownit, Edvin Xhejksit e pse jo edhe të vetë Dejvid Youngit.

Screen Shot 2015-04-01 at 2.21.49 PMProf. dr. Muhamet Mala është profesor i historisë në Universiteti i Prishtinës i cili jep leksione në lëndë si “Historia e religjionëve” dhe “Histori e religjionëve komparative”. Botuar me lejë nga autori.